Postin e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu do t’ia dorëzojë kryetarit të ri të Kuvendit, i cili pritet të zgjidhet nga legjislatura e njëmbëdhjetë.
Nga Presidenca e Kosovës kanë bërë të ditur se vendi nuk mund të mbetet pa ushtrues detyre të presidentit.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Presidenca ka sqaruar se me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, detyra e ushtruesit të presidentit kalon automatikisht te ai ose ajo.
“Me zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit, kushdo qoftë ai apo ajo, ushtrimi i detyrës së presidentit kalon te kryetari i ri i Kuvendit, deri në zgjedhjen e presidentit të Republikës”, ka deklaruar Presidenca në përgjigjen për REL-in.
Legjislatura e re, e dalë nga zgjedhjet e qershorit, ende nuk është konstituuar. Seanca konstituive, e cila nisi më 6 gusht, nuk është përmbyllur, pasi Lëvizja Vetëvendosje kërkon që fillimisht të arrihet pajtim për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Haxhiu është duke e ushtruar detyrën e presidentit që nga 4 prilli, në cilësinë e kryetares së legjislaturës së dhjetë të Kuvendit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit në krye të shtetit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, detyra e ushtruesit të presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.
Në rastin e Haxhiut, ky afat përfundon më 4 tetor.
Nga Presidenca kanë lënë të hapur mundësinë që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për një sqarim, nëse deri më 4 tetor deputetët nuk arrijnë të zgjedhin një president të ri të Republikës.
“Në këtë fazë nuk do të paragjykonim nëse do të paraqitet nevoja për një procedurë të tillë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Megjithatë, sipas këtij institucioni, në këtë fazë fokusi duhet të jetë te zgjedhja e një presidenti me mandat të plotë.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në fillim të kësaj jave, arritën marrëveshje për çështjen e presidentit. Të dyja partitë propozuan ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, për postin e presidentit.
Por, një ditë më vonë, marrëveshja nuk u përkrah nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke ngritur pikëpyetje nëse ajo mund të prodhojë zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.
Pas këtij zhvillimi, kreu i LVV-së dhe njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se do të vazhdojnë përpjekjet për çështjen e presidentit. Ai shtoi se tashmë janë 74 vota për Sejdiun.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në votim, nga 120 sa i ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.
Në dy rundet e para nevojiten 80 vota, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota, me kusht që në sallë të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, sipas Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.








