Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka shprehur shpresën që udhëheqësit e luftës çlirimtare që po gjykohen në Hagë të lirohen dhe të kthehen sa më shpejt te familjet e tyre.
Sadiku ka thënë se fillimisht ka pasur shpresë dhe besim në Gjykatën Speciale, edhe për faktin se ajo është themeluar nga vetë shteti i Kosovës.
Megjithatë, ai ka deklaruar se sot beson se kjo gjykatë ka dalë shumë përtej rolit dhe qëllimit për të cilin është krijuar.
“Shpresoj sinqerisht që udhëheqësit e luftës çlirimtare që po gjykohen në Hagë, të lirohen dhe të kthehen sa më shpejt te familjet e tyre”, ka shkruar Sadiku.
Ai ka theksuar se me këta njerëz nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet politikisht në shumë aspekte, duke shtuar se nëse ata kthehen në jetën politike, do t’i ketë kundërshtarë politikë dhe do t’i kundërshtojë me bindje të plotë aty ku nuk pajtohen.
Por, sipas Sadikut, ka çështje që qëndrojnë mbi politikën, partitë dhe betejat e përditshme politike.
“Por ka gjëra që janë mbi politikën, mbi partitë dhe mbi betejat tona të përditshme.
Kosova është mbi to. Lufta çlirimtare është mbi to. E drejta dhe dinjiteti i saj janë mbi të gjithë ne”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.








