Me nisjen e vitit të ri shkollor 2026/2027, në shkolla të Kosovës është rikthyer në vëmendje edhe çështja e kodit të veshjes për nxënësit.
Në një njoftim të publikuar për fillimin e vitit të ri shkollor, Shkolla e Mesme e Lartë Ekonomike “Kadri Kusari” në Gjakovë, ka rikujtuar nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit se duhet të respektohet kodi i veshjes dhe në ambientet shkollore të paraqiten me veshje të përshtatshme.
Në materialin informues të publikuar nga shkolla, ndër veshjet e ndaluara paraqiten fustanet shumë të shkurtra, fundet mini, bluzat e shkurtra, pantallonat e grisura, pantallonat e shkurtra dhe bluzat pa mëngë.
Po ashtu, në grafikën e publikuar bëhet e ditur se ndalesa për veshje të tilla vlen për stafin arsimor, prindërit dhe nxënësit.
Njoftimi është bërë në kuadër të fillimit të vitit të ri shkollor, i cili në Kosovë nisi më 1 shtator.
Shkolla u ka bërë thirrje të gjithë pjesëtarëve të saj që të respektojnë rregullat e përcaktuara për paraqitjen në ambientet shkollore.








