Ka zhvillime të reja në rastin tragjik të së hënës në Zubin Potok, ku Bajram Selimi, 29-vjeçar, humbi jetën pasi u rrëzua derisa po punonte në objektin në ndërtim të Stacionit Policor.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pas veprimeve hetimore dhe intervistimit të personave të përfshirë, Prokuroria ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të Bexhet Baftjarajt, njërit prej dy personave që po trajtohen si të dyshuar në kuadër të hetimeve për këtë rast.
I dyshuari tjetër, Fadil Jashari, është intervistuar dhe më pas është liruar.
Rasti tragjik kishte ndodhur më 1 shtator, në një punishte në rrugën “Kolosinska Knjezheva”, ku po ndërtohet objekti i Stacionit Policor në Zubin Potok.
Sipas informacioneve fillestare të siguruara nga dëshmitarët, Selimi dyshohet se, pas procesit të betonimit të një muri mbrojtës, gjatë zbritjes nga muri ka rrëshqitur nga një lartësi prej rreth tre metrash dhe ka rënë mbi një armaturë statike vertikale, duke pësuar lëndime të rënda.
29-vjeçari fillimisht ishte dërguar për ndihmë mjekësore dhe më pas ishte transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal në Mitrovicë të Veriut, por nuk kishte arritur t’u mbijetonte lëndimeve.
Pas vdekjes së tij, në rast janë përfshirë njësitë policore dhe inspektorët e punës, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet po zhvillohen nën dyshimet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, me qëllim të përcaktimit të rrethanave dhe përgjegjësisë eventuale për vdekjen e punëtorit.
Pas intervistimeve, prokurorja kujdestare ka vendosur që Baftjaraj të dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa Jashari të lirohet.








