Kuvendi voton kundër -Dështon pazari i tokave mes Agim Aliut dhe drejtuesit të Auto Sherretit

Propozimi i kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu, për këmbimin e rreth gjashtë ari tokë komunale me një ari e gjysmë tokë të një sipërmarrësi privat nuk ka arritur të marrë mbështetjen e shumicës së nevojshme në Kuvendin Komunal.

As gjysma e kuvendarëve të koalicionit qeverisës PDK-Aleancë-Ne Mundemi nuk e kanë mbështetur kërkesën e Aliut për këmbimin e pronave me sipërmarrësin ferizajas, Bujar Avdiu.

Në votim, vetëm nëntë asamblistë të partive në pushtet, kryesisht të PDK-së, kanë votuar pro propozimit, ndërsa 24 të tjerë, shumica prej tyre nga opozita, kanë votuar kundër. Votimi është zhvilluar në seancën e Kuvendit Komunal të Ferizajt, i cili ka gjithsej 41 anëtarë.

Kundër propozimit, përveç disa asamblistëve të pushtetit, kanë votuar edhe dy asambliste të pavarura: Hatixhe Bungu-Qerimi, pjesë e AAK-së në listën zgjedhore të 12 tetorit 2026, dhe Flora Islami, e cila ishte pjesë e PDK-së para se të zgjidhej në zgjedhjet e fundit lokale.

Aliu kishte kërkuar që dy parcelat private të Bujar dhe Imrane Avdiut, të cilat ndodhen prapa ndërtesës së KEDS-it në qendër të qytetit, të këmbeheshin me rreth gjashtë ari tokë komunale.

Njëra nga parcelat private është 115 metra katrorë dhe është pjesë e “Sheshit të Fjalës së Lirë”, ndërsa tjetra është 35 metra katrorë dhe aktualisht është pjesë e trotuarit të rrugës qendrore të qytetit.

Në këmbim të këtyre dy parcelave, pronarët privatë do të merrnin rreth gjashtë ari, apo 577 metra katrorë, nga një ngastër komunale përgjatë rrugës “Brigada 161”.

Pikërisht në këtë zonë, viteve të fundit janë ndërtuar objekte afariste dhe të banimit kolektiv, me lartësi deri në 18 kate.

Votimit i ka paraprirë një debat i ashpër me akuza dhe kundërakuza ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Xhevat Sallahu, anëtar i Kuvendit Komunal nga LVV-ja, ka thënë se kjo pikë nuk është dashur fare t’i dorëzohej organit legjislativ lokal, pasi Komuna e Ferizajt ka shumë pak parcela komunale në zonën urbane.

“Në qoftë se është interesi i qytetarëve me i dhanë një ari për gjashtë ari atje, ku është ndërtim e sipër, që mund të na vynë për diçka publike, për një ambulancë, apo për diçka tjetër, kjo është shumë e habitshme”, ka thënë Sallahu.

Nga LVV-ja kanë kundërshtuar edhe Brahim Osmani dhe Amir Rexhepi.

Edhe LDK-ja ka qenë kundër këmbimit të pronave.

Sakip Haliti, në emër të grupit parlamentar opozitar të LDK-së, ka kërkuar që këmbimi i pronave komunale të ndalohet pa një studim dhe planifikim të mirëfilltë paraprak të interesit publik.

“Shumë më e udhës do të ishte që të ruhen këto prona dhe të vazhdohet me shpronësim”, ka thënë Haliti.

LDK-ja kishte paralajmëruar se, nëse vendimi do të kalonte, do ta dërgonte atë në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Një masë të tillë drejtësie kishte paralajmëruar se do ta kërkonte edhe organizata joqeveritare Avonet.

Arian Imeri, në emër të grupit parlamentar të shumicës PDK-Aleancë-Ne Mundemi, u është përgjigjur akuzave të opozitës duke thënë se vlerësimi i pronave është bërë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, e udhëhequr nga ministri në detyrë, ferizajasi Hekuran Murati.

Departamenti ministror për Vlerësimin e Pronave e ka vlerësuar me 290 euro për metër katror ngastrën komunale në rrugën “Brigada 161”.

Ndërkaq, “ngastra trotuar” është vlerësuar me 1 mijë euro për metër katror, sipas “llojit të shfrytëzimit të pronës/klasës së kualitetit”, ku prona është deklaruar si “oborr”.

Ngastra prapa KEDS-it është vlerësuar me 1 mijë e 100 euro për metër katror dhe është deklaruar si “oborr/shtëpi”.

Departamenti ministror i Vlerësimit të Pronave e ka kategorizuar si “Kallamishte 1” parcelën komunale prej 5.7 arësh.

“Ne mund të jemi subjektiv, por me vlerësimin e tyre, merret vendim për shpronësimin e pronave në krejt Kosovën”, ka thënë Imeri.

Në krah të tij ka dalë edhe bashkëpartiaku i PDK-së, asambleisti Ejup Delolli.

Duke iu drejtuar Osmanit të LVV-së, Delolli ka thënë në foltore:

“M’u kanë e jemja Brahë, unë e nali edhe qarkullimin, edhe parkin e prishi se është e jemja”.

Kjo nuk është hera e parë që Kuvendi Komunal i Ferizajt shqyrton këmbimin e parcelave të familjes Avdiu.

Në seancën e shtatorit 2024, Kuvendi Komunal, me shumicën e të njëjtit koalicion, kishte marrë vendim për këmbimin e parcelave të familjes Avdiu.

Megjithatë, arsyetimet e asambleistëve të pushtetit nuk ia kanë mbushur mendjen kuvendares së pavarur, Hatixhe Bungu-Qerimit.

“E çka po bajmë na; krejt pronat po i këmbejmë për ndërtime. Krejt po e betonizojmë”, ka thënë ajo.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit