Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë nesër dy mbledhje, pas marrëveshjes së arritur mes kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministrit në detyrë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President të vendit.
Abdixhiku nesër do të mbajë fillimisht një mbledhje me Kryesinë e partisë, e cila do të nisë në ora 14:00, ndërsa më pas, në ora 16:00, do të zhvillohet mbledhja me Grupin Parlamentar.
Kreu i LDK-së deklaroi sot se me LVV-në kanë bërë një “punë të mirë dhe të mbarë” për vendin, duke u dakorduar që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President të Kosovës.
Abdixhiku kërkoi që tani, “pa vonesa”, të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria e re dhe të zgjidhet Bekim Sejdiu President.
“Andaj, pa vonesa, le të konstituojmë Kuvendin e Kosovës, le të zgjidhet qeveria e Kosovës dhe le të zgjedhim presidentin e ardhshëm të republikës së Kosovës, Prof. Dr. Bekim Sejdiun”, tha Abdixhiku në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin, ku ishte i pranishëm edhe Sejdiu.








