Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se pjesëmarrja e përfaqësuesve të pushtetit serb në funeralin e Ratko Mladiqit do të tregojë shkallën e identifikimit të tyre me krimet për të cilat ai është dënuar.
Sipas Piculës, pjesëmarrja e zyrtarëve serbë në funeralin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe nuk është çështje e parëndësishme.
Ai kritikoi edhe reagimet ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës, duke thënë se ato e konfirmojnë qëndrimin e regjimit në Beograd, i cili e paraqet Mladiqin si viktimë të pafajshme të sistemit ndërkombëtar të drejtësisë penale.
“Sulmet toksike ndaj vendimit të Tribunalit të Hagës konfirmojnë qëndrimin tashmë të njohur të regjimit në Beograd, sipas të cilit Mladiqi ishte viktimë e pafajshme e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë penale”, deklaroi Picula.
Ai i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të reagojë në mënyrë adekuate, duke theksuar se pasojat e luftërave të viteve ’90 vazhdojnë të ndihen në rajon.
“Reagimi i BE-së duhet të jetë adekuat, pasi pasojat e agresionit të Serbisë së Madhe ndaj Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës gjatë viteve ’90 ende nuk janë tejkaluar”, u shpreh Picula.








