Shkrirja e akullnajës nxjerr në sipërfaqe çantën që alpinisti e humbi 60 vjet më parë

Një alpinist 86-vjeçar në Austri është ribashkuar me çantën dhe pajisjet e tij të alpinizmit, më shumë se gjashtë dekada pasi i kishte humbur në një çarje të akullnajës.

Sendet u zbuluan në korrik në akullnajën Sulztalferner të Tirolit, në një lartësi prej rreth 2 mijë e 955 metrash. Brenda çantës ndodheshin një sëpatë alpinizmi, një aparat fotografik dhe një tub, që datojnë nga vitet 1950 ose 1960.

Çanta u gjet nga një tjetër alpinist, i cili njoftoi menjëherë autoritetet. Pavarësisht gjendjes së dëmtuar të dokumenteve, Policia austriake arriti ta identifikonte pronarin.

Historia nisi në gusht të vitit 1963, kur burri ra në një çarje akullnaje gjatë një ecjeje në mal me miqtë. Grupi ishte i lidhur me litar dhe shokët arritën ta nxirrnin atë të sigurt.

Për ta zvogëluar peshën gjatë operacionit të shpëtimit, alpinisti e hoqi çantën nga shpina dhe e hodhi në çarje, ku mbeti e mbuluar nga akulli për 63 vjet.

Për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, 86-vjeçari nuk mundi t’i merrte personalisht sendet e gjetura, ndaj autoritetet ia dorëzuan ato djalit të tij.

Shkrirja e shpejtë e akullnajave në Evropë ka nxjerrë në sipërfaqe objekte dhe mbetje të ruajtura për dekada, shekuj apo edhe mijëra vjet. Një nga zbulimet më të njohura është trupi i mumifikuar i “Ötzi”-t, i gjetur në Alpet Ötztal më 1991 dhe që besohet se ka jetuar rreth 5 mijë e 300 vjet më parë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit