Në seancën e rigjykimit të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, aktualisht ministër në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë seancës, prokurori ka kërkuar që Konjufca të shpallet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.
Sipas prokurorit, gjatë caktimit të dënimit si rrethana rënduese duhet të merret parasysh shkalla e dashjes për kryerjen e veprës penale, si dhe rrezikshmëria e aktit të tij.
Prokurori tha se gazi lotsjellës ishte hedhur në një ambient të mbyllur, ku në momentin e përdorimit ndodheshin persona brenda sallës.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se deri në këtë fazë të procedurës nuk është gjetur ndonjë rrethanë lehtësuese në favor të Konjufcës.








