Nga Ismet Haziri
Kosova ndodhet sërish përballë një krize institucionale. Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar plotësisht, ndërsa afati kushtetues prej 30 ditësh ka skaduar më 7 gusht. Përplasja politike vazhdon: njëra palë kërkon që Vetëvendosja të kthehet në Kuvend dhe të vazhdojë procesin e konstituimit, ndërsa pala tjetër kërkon kohë dhe një marrëveshje politike për çështjen e presidentit.
Në pamje të parë, kemi të bëjmë me një debat kushtetues. Dhe në një demokraci kjo është e natyrshme. Kushtetuta duhet të respektohet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe asnjë subjekt politik nuk mund ta vendosë veten mbi institucionet e Republikës.
Por problemi i Kosovës është më i thellë se kaq.
Problemi është se Kushtetuta po rrezikon të përdoret si instrument i luftës politike, ndërsa interesi i shtetit po mbetet në plan të dytë.
Është e drejtë që opozita të kërkojë respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Është e drejtë të kërkohet që Kuvendi të funksionojë dhe që deputetët të jenë në sallën e Kuvendit. Në fakt, pikërisht ky është funksioni i tyre. Por pyetja që duhet bërë është: a është kjo kërkesë një përpjekje reale për ta nxjerrë Kosovën nga kriza, apo po shndërrohet edhe ajo në një instrument tjetër të betejës politike?
Sepse ekziston një dallim i madh ndërmjet mbrojtjes së Kushtetutës dhe përdorimit politik të Kushtetutës.
Nëse qëllimi është që Kosova të ketë institucione, atëherë zgjidhja nuk mund të jetë vetëm kërkesa që pala tjetër të kthehet në Kuvend. Duhet të ekzistojë gatishmëria që, pasi të gjithë të kthehen në Kuvend, të votohet, të krijohen organet e tij dhe të hapet rruga për formimin e institucioneve të tjera.
Nuk mund të kërkosh institucione funksionale dhe njëkohësisht të kënaqesh me vazhdimin e bllokadës.
Kjo është arsyeja pse qytetari i Kosovës ka të drejtë të jetë skeptik ndaj retorikës së të gjitha palëve. Sepse qytetari nuk i ka zgjedhur deputetët që ata ta bëjnë shtetin të pafunksionueshëm. Nuk i ka zgjedhur për t’i dhënë Kosovës një tjetër cikël të pafundëm bllokadash, interpretimesh, akuzash dhe kundërakuzash.
Deputetët janë zgjedhur për ta bërë shtetin të funksionojë.
Ky është qëllimi themelor i mandatit që ata kanë marrë nga qytetarët.
Në këtë kuptim, përgjegjësia nuk mund të vendoset vetëm mbi një subjekt politik. Nëse Vetëvendosja ka marrë numrin më të madh të votave dhe ka shumicën më të madhe parlamentare, mbi të bie një përgjegjësi e veçantë politike. Ajo duhet ta kuptojë se fitorja elektorale nuk është vetëm e drejtë për të qeverisur; është edhe përgjegjësi për të krijuar institucionet që mundësojnë qeverisjen.
Por edhe opozita ka përgjegjësi.
Nuk mjafton të thuhet se po mbrohet Kushtetuta. Duhet të dëshmohet se objektivi është funksionaliteti i Republikës. Nëse kthimi në Kuvend përdoret vetëm si presion politik, ndërsa çdo hap tjetër shndërrohet në një kusht të ri për të vazhduar përplasjen, atëherë edhe kjo qasje rrezikon të bëhet pjesë e të njëjtës farsë institucionale.
Kosova nuk mund të ndërtojë demokraci vetëm mbi pyetjen se kush e fitoi betejën e radhës politike.
Duhet të fillojmë ta ndërtojmë mbi pyetjen: çfarë i duhet shtetit?
Dhe shtetit i duhet Kuvendi.
I duhet Qeveria.
I duhet Presidenti.
I duhen institucione të plota, legjitime dhe funksionale.
I duhet një sistem politik që, pas zgjedhjeve, është në gjendje ta shndërrojë votën e qytetarit në institucione dhe vendimmarrje.
Kjo nuk është çështje e Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së, AAK-së apo ndonjë partie tjetër. Është çështje e Republikës së Kosovës.
Një shtet nuk matet vetëm me ligjet që ka, por me aftësinë për t’i zbatuar ato








