Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar pas paralajmërimit të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, se do të takohej me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş, për të diskutuar çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
Vuçiq ka deklaruar se, sipas tij, veprimet e Kurtit po i dërgojnë Serbisë sinjal se dialogu nuk ka më kuptim, duke kërkuar zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.
“Gjithçka që bën Kurti dhe gjithçka që ata bëjnë me të është absurditet total. Parashtroj vetëm një pyetje: Kur do ta zbatoni Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në prill të vitit 2013?”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka pretenduar se delegacioni serb ka zhvilluar rreth 50 raunde bisedimesh për çështjen e Urës së Ibrit në kuadër të dialogut në Bruksel.
“Kemi negociuar 50 herë për urën mbi Ibër, ndërsa tani do ta zgjidhni me forcë, së bashku me miqtë tuaj të NATO-s. Do të shohim. Do të bisedoj me Ruten”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka përmendur gjithashtu një bisedë mes shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, dhe komandantit të KFOR-it, duke e cilësuar atë si “të sjellshme, por jo të mirë”.
Ndërkohë, takimi i paralajmëruar mes Kurtit dhe Ulutaşit nuk është zhvilluar. KFOR-i ka bërë të ditur se takimi është anuluar për shkak të “rrethanave të paparashikuara”.








