Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka sekuestruar një automjet të markës “BMW X6”, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.
Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, përkatësisht Ekipin për Hetimin e Autokrimeve, pas informatave të pranuara përmes zyrës së ILECU-së.
Sipas Prokurorisë, automjeti ishte në kërkim ndërkombëtar në kuadër të një procedure penale të zhvilluar në Gjermani ndaj shtetasit kosovar Sh.Q., për veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.
Më 7 gusht 2026, pas lokalizimit të automjetit në Kosovë, ai është sekuestruar, ndërsa Prokurori i Shtetit kishte urdhëruar ndalimin e përkohshëm të tij.
Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, më 14 gusht 2026 është lëshuar urdhër për kthimin e automjetit te pronari i tij, shtetasi gjerman R.D.
Prokuroria Themelore në Pejë ka thënë se mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për trajtimin e rasteve penale dhe zbatimin e ligjit.








