Shoqata “Thirrje për Drejtësi”, e themeluar nga personalitete të njohura përfshirë themeluesit e saj si Ymer Ymeri, Fetah Rudi dhe Doruntinë Maloku Kastrati, ka publikuar një letër të hapur dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Në kohën kur procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve po pret aktgjykimin përfundimtar, organizata thekson se lufta për liri nuk po cenohet dhe nuk po sulmohet, por se në gjykatë po gjykohen individët. Në dokument theksohet se lufta për liri dhe për një shtet të pavarur është përkrahur nga vendet demokratike perëndimore, prej nga vijnë edhe prokurorët e gjyqtarët, të cilët duhet të vendosin në mënyrë të paanshme e mbi bazën e provave.
Organizata bën thirrje për respektimin e gjykatës dhe vendimeve të saj, duke theksuar se nuk kërkohet drejtësi politike, hakmarrje apo dënim pa prova, por drejtësi e bazuar në ligj dhe e barabartë për të gjithë, me synim që çdo familje e viktimave të mësojë të vërtetën.
Shoqata “Thirrje për Drejtësi” u themelua më 1 tetor 2012 nga një grup familjarësh të viktimave dhe veprimtarësh, me qëllim inkurajimin dhe ndihmën ndaj organeve të drejtësisë vendore e ndërkombëtare për zbardhjen e vrasjeve të ndodhura para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë e Diasporë. Themelues janë Ymeri, Rudi e Maloku.
Ymer Ymeri është vëllai i veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri (i vrarë në nëntor 1999). Ymer Ymeri ka qenë një zë mjaft aktiv në publik dhe së fundmi dëshmitar në Gjykatën Speciale në Hagë.
Fetah Rudi, një zyrtar i LDK-së dhe ish-deputet, i cili i mbijetoi një atentati të rëndë në dhjetor të vitit 2000 në fshatin Bytyç të Malishevës, ku mbeti i plagosur rëndë dhe u paralizua. Ai ka dëshmuar vazhdimisht për profilet e lidhura me vrasjet politike.
Doruntinë Maloku Kastrati është vajza e gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Enver Maloku (udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës – QIK), i cili u vra në një atentat në Prishtinë më 11 janar 1999. Doruntina ka shërbyer më vonë edhe si deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së.
Në letrën e hapur, shoqata thekson se në kohën kur procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve po pret aktgjykimin përfundimtar, ajo dëshiron të shprehë qartë qëndrimin e saj.
Letra e plotë:











