Spektakli i UFC-së, është mbajtur më 1 gusht në Beograd,
Ish-kampioni i UFC-së në kategorinë bantam, Aljamain Sterling (26-5), ishte i ftuar në emisionin e Joe Rogan, ku foli për përvojën e tij gjatë qëndrimit në Beograd.
Sterling kishte qëndruar në kryeqytetin serb për shkak të luftëtarit me origjinë shqiptare dhe pasaportë amerikane, Denis Buzukja, të cilit i qëndroi në kënd gjatë ndeshjes kundër austriakut me origjinë rumune, Bogdan Grad.
Sterling dhe miqtë e tij shqiptarë, sipas pretendimeve të tij, përjetuan disa situata të pakëndshme në Serbi. Ish-kampioni i UFC-së tregoi se çfarë u kishte ndodhur gjatë një daljeje nate në Beograd.
“Ish-kampioni i UFC-së “pështyu” mbi mikpritjen që mori në Beograd”, është titulli skandaloz i mediumit serb “Kurir”.
“Sipas autorit të artikullit, Aljamain Sterling nuk është i informuar mirë për të gjithë situatën mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Artikulli pretendon se ai nuk i njeh faktet historike dhe kontekstin e konfliktit”, shkarravit mediumi serb “Kurir”.
Ky medium serb pa fije turpi shkruan:
“Autori e quan të pabesueshme që Sterling të ankohet për mënyrën se si publiku në Arenë e trajtoi Denis Buzukjan, ndërsa të mos përmendë fare se luftëtari amerikan, gjatë matjes zyrtare të peshës, kishte provokuar serbët duke bërë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare shqiptare, të cilin artikulli e paraqet si simbol të “Shqipërisë së Madhe””.
“Kur shohim njerëz që vijnë nga Serbia, dagestanezë, njerëz që vijnë nga pjesë të vështira të botës, nga Çeçenia, ky është dallimi.
Ata janë rritur ndryshe, ekziston një ndryshim i madh në mentalitet. Ata janë luftëtarë”, tha Rogan.
Më pas ndërhyri Sterling:
“Po, me këtë arrita të njihem pak kur shkova në Gjeorgji te Merab Dvalishvili. Mësova diçka për historinë e Gjeorgjisë dhe Rusisë, përkatësisht për situatën e tyre politike. Pastaj isha në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi”, filloi Sterling.
Në pjesën tjetër të bisedës, amerikani përshkruan një situatë gjatë një daljeje nate në Beograd, kur disa serbë iu afruan miqve të tij me qëllim që të njiheshin me ta, por atmosfera ndryshoi shumë shpejt pasi morën vesh se në grup ndodheshin shqiptarë.
“Serbët iu afruan miqve të mi, u prezantuan dhe pyetën se nga vinim. Pastaj, krejt papritur, thanë se Kosova është Serbi.
Dhe këtë e thanë vetëm pasi ishim njohur! Asgjë nuk kuptova. Mendova se donin të fillonin një përleshje.
Mendova: po vijmë në vendin tuaj, a nuk mund të silleni normalisht? Jemi këtu për eventin e UFC-së, nuk po kërkojmë sherr. Ishim në një klub lundrues pranë lumit, bashkë me njerëz nga organizata, dhe po kalonim shumë mirë”.
“Ai djalë mori vesh se shoku im ishte shqiptar nga Kosova, ai ka tipare shumë tipike shqiptare, ilire?!
Gjithsesi, filluan të bisedonin dhe në një moment serbi futi dorën në xhep dhe tha se kishim 10 minuta për t’u larguar ose do ta hidhte në erë të gjithë klubin lundrues! O shok, çfarë?!
Në atë moment unë dola për pak kohë, por më vonë më treguan se çfarë kishte ndodhur”
“Serbi që ishte me ne në grup përkthente atë që ishte thënë. Më pas morëm vesh se ai person nuk kishte pistoletë, por bombë! Imagjinoje… të ecësh nëpër qytet me një bombë në xhep”.
Sterling vazhdoi të tregonte përvojën e tij:
“Kjo, me sa duket, është realiteti i tyre në atë vend. E di se njerëzit do të më kritikojnë.
Normalisht, nuk duhet të përgjithësojmë, nuk janë të gjithë serbët të tillë, por ende ka njerëz të çmendur atje që ushqejnë armiqësi ndaj shqiptarëve. Më kujton shumë situatën mes Izraelit dhe Palestinës.”
Rogan ndërhyri me komentin:
“Mos filloni probleme në Serbi nëse jeni shqiptar.”
Sterling vazhdoi: “Por Denis është shqiptar. Është e qartë pse nuk e donin në Beograd. Më thanë se në sallë brohorisnin ‘vdekje shqiptarëve’. Unë vetëm qeshja, sepse nuk i kuptoja thirrjet nga tribunat.”
“Dukej sikur Buzukja po luftonte në eventin kryesor. Salla ishte plot dhe tifozët mezi prisnin që Denis të dilte drejt oktagonit. Ishte çmenduri. E fishkëllyen aq shumë…
I thashë Denisit se e përballoi shumë mirë presionin.
Se u paraqit si një kampion.
Se nuk kishte zemëruar askënd me vetëdije, por thjesht kishte bërë atë që bën zakonisht.”
“Më vonë mori edhe disa duartrokitje kur po largohej, por armiqësia në sallë ende ekzistonte”, tha Aljamain Sterling.
Në vazhdim të podcastit, amerikani shprehu keqardhje për përvojën që kishte pasur në kryeqytetin serb dhe shtoi se do të dëshironte që situata mes serbëve dhe shqiptarëve të ndryshonte për mirë në të ardhmen.








