Skuadra shqiptare Otrant – Olimpik nga Ulqini, me president Skënder Rexhën, e mposhti Sutjeskën me rezultat 4:1 në stadiumin pranë Bistricës në Nikshiq, në ndeshjen e javës së tretë të Ligës së Parë të Malit të Zi.
Kjo humbje e thelloi edhe më shumë krizën e kampionit aktual.
Rezultati është i jashtëzakonshëm, pasi Otranti, skuadër e rikthyer në elitë, e mposhti për herë të parë në histori kampionin.
Pamje nga ndeshja
Megjithatë, duke parë përmasat e krizës në të cilën ndodhet Sutjeska, kjo fitore nuk duket më aq befasuese.
“Kripë mbi plagë” për skuadrën nga Nikshiqi hodhi ish-trajneri i saj, Milija Savoviq, i cili me Otrantin e tij nuk tregoi aspak mëshirë për problemet e kampionit aktual.
“Kjo ishte humbja e shtatë e Sutjeskës në po aq ndeshje këtë sezon, nëse llogariten edhe katër ndeshjet e saj në Evropë. Një bilanc kaq negativ nuk mbahet mend. Nikshiqasit ishin në vendin e fundit edhe para kësaj jave, ndërsa tani janë ngulitur edhe më fort në fund të tabelës.
Çfarë do të ndodhë më tej?
Sutjeska gjatë javës së kaluar mbeti fillimisht pa president dhe më pas edhe pa trajner. Përpara drejtuesit të ri dhe trajnerit të ri qëndron një detyrë jashtëzakonisht e vështirë për ta nxjerrë klubin nga kjo krizë.
Nga ana tjetër, Otranti regjistroi fitoren e parë të sezonit dhe pas tri javësh ka grumbulluar katër pikë.
Mysafirët nga Ulqini kaluan në epërsi që në minutën e pestë.
Matija Uskokoviq depërtoi përmes mbrojtjes së vendasve sikur ajo të ishte “djathë zviceran” dhe e dërgoi topin me qetësi pranë portierit Çuroviq.
Sutjeska reagoi shpejt. Në minutën e 8-të, pas një aksioni të nisur nga Kamara, të vazhduar nga Aniçiç dhe të përfunduar nga Boljeviç, vendasit shënuan golin e tyre të parë në shtëpi këtë sezon. Dukej se ky gol do ta zgjonte kampionin.
Por nuk ndodhi kështu.
Në minutën e 32-të, mbrojtja e Sutjeskës u çarë në krahun e djathtë. Vukoviç dhe Paviçeviç kombinuan bukur, ndërsa përfundimin e aksionit e bëri Valentin Rudroviç, duke e çuar Otrantin sërish në avantazh, 1:2.
Në pjesën e dytë ndodhi një kolaps i plotë i Sutjeskës. Sulmi i vendasve ishte i pafuqishëm, ndërsa mbrojtja e rënduar nuk arrinte të përballonte sulmuesit e shpejtë të Otrantit.
Pamundësia e Sutjeskës u shfaq qartë në golin e tretë, në minutën e 66-të. Pas një topi të gjatë në thellësi, Muharemoviq e kaloi me shpejtësi Babiqin. Portieri Çuroviq arriti i pari te topi, por në përpjekje për ta larguar atë goditi sulmuesin e Otrantit.
Topi u ngrit në një hark të lartë dhe ra në zonën e vogël, ku Muharemoviç me kokë e dërgoi në rrjetën bosh”, ka shkruar media malazeze “Vijesti”.
Në minutën e 81-të, goditja përfundimtare erdhi nga maqedonasi Alban Taipi. Ai përshkoi rreth 60 metra me topin dhe më pas me një diagonalë fantastike e dërgoi topin në rrjetë për 1:4.
Kështu, Otranti mori një fitore historike në Nikshiq, ndërsa Sutjeska vazhdon të zhytet në një prej krizave më të rënda të viteve të fundit.
Otrant renditet në vend të dytë me 4 pikë (një fitore, një barazim dhe një humbje) dhe Sutjeska është në fund me 0 pikë.








