Komuniteti vlonjat, por edhe të gjithë dashamirësit e futbollit dhe të brezit të artë të Flamurtarit të viteve ’80, të mërkurën janë tronditur nga ndarja nga jeta e një prej legjendave të ekipit kuqezi të Vlorës, Agim Bubeqi.
Por Bubeqi, si pjesë e atij brezi të Flamurtarit që “gjunjëzoi” Partizanin e Beogradit në Kupën UEFA, mbahet mend edhe në Beograd.
Media serbe “Kurir” ka rikujtuar mrekullinë e Flamurtarit në Europë dhe eliminimin e Partizanit të Beogradit në vitin 1987.
Ja çfarë shkruan media serbe për ndarjen tragjike nga jeta të Agim Bubeqit:
“Vdiq shqiptari që në vitin 1987 e zhyti Partizanin në zi! Futbollisti legjendar u gjet i vdekur në apartament, fqinjët zbuluan një detaj rrëqethës!”
Bota e futbollit në Shqipëri është mbuluar nga zia, ka ndërruar jetë Agim Bubeqi, pjesëtar i gjeneratës së famshme të Flamurtarit që në vitin 1987 tronditi Partizanin e Beogradit dhe e eliminoi nga Kupa UEFA.
Një lajm i trishtë ka mbërritur nga Shqipëria, ka ndërruar jetë Agim Bubeqi, ish-lojatar i Kombëtares së këtij vendi dhe një prej heronjve të Flamurtarit, që në vitin 1987 i shkaktoi Partizanit një prej surprizave më të mëdha në historinë e kompeticioneve evropiane. Bubeqi ishte 63 vjeç dhe, sipas raportimeve të mediave shqiptare, trupi i tij u gjet në apartament pasi fqinjët vunë re se prej disa ditësh nuk e kishin parë.
Ishte viti 1987, Kupa UEFA dhe përballja e parë evropiane mes Partizanit dhe Flamurtarit të Vlorës. “Bardhezinjtë” hynë në këtë përballje si favoritë të mëdhenj, por në Shqipëri përjetuan një tronditje të vërtetë, Flamurtari fitoi 2:0. Në ndeshjen e kthimit, në stadiumin e atëhershëm “JNA”, ishin të pranishëm plot 40 mijë spektatorë. Partizani arriti të shënonte dy gola, duke përmbysur përkohësisht situatën. Goran Stevanoviq shënoi nga pika e bardhë, ndërsa Fadil Vokrri realizoi golin e dytë dhe dukej se përmbysja e madhe ishte pranë.
Por më pas, heshtje në tribuna. Në minutën e 76-të, Sokol Kushta shënoi për 2:1 dhe praktikisht shoi shpresat europiane të skuadrës serbe. Flamurtari kaloi më tej me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Dhe mes futbollistëve që atë mbrëmje i shkaktuan jo pak probleme Partizanit ishte pikërisht Agim Bubeqi.
Bubeqi ishte pjesë e gjeneratës së famshme të Flamurtarit, e cila në ato vite realizoi disa nga sukseset më të mëdha evropiane të klubit. Edhe pse nuk ishte ai autor i golit vendimtar në Beograd, Bubeqi ishte titullar si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në të dytën kundër Partizanit. Akoma më e pabesueshme ishte se Flamurtari nuk u ndal te Partizani.
Në turin pasardhës, skuadra vlonjate eliminoi Vismut Aue të Gjermanisë dhe më pas u përball me gjigantët e Barcelonës.
Në ndeshjen e parë, në “Camp Nou”, Flamurtari madje kaloi në avantazh, përpara se Barcelona të përmbyste gjithçka dhe të fitonte 4-1. Në sfidën e kthimit në Vlorë, shqiptarët fituan 1-0, por ky rezultat nuk mjaftoi për kualifikimin. Për një qytet të vogël shqiptar, ajo ishte një ëndërr futbolli.
Bubeqi e kaloi pothuajse të gjithë karrierën e tij profesionale te Flamurtari. Për klubin vlonjat luajti nga viti 1987 deri në vitin 2003, ndërsa me të fitoi edhe titullin historik të kampionit të Shqipërisë në vitin 1991. Ai ishte gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare.
Për përfaqësuesen kuqezi zhvilloi gjashtë ndeshje, ndërsa debutimin e bëri në vitin 1987, në sfidën kundër Austrisë, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian. Megjithatë, emri i tij do të mbetet përgjithmonë i shkruar në historinë e Flamurtarit për shkak të asaj gjenerate që realizoi një mrekulli në Europë.
Ndërsa për tifozët e Partizanit, emri i Agim Bubeqit do të lidhet gjithmonë me një natë shtatori të vitit 1987, kur në Humskë ëndrra për një pranverë evropiane u shndërrua papritur në një makth. Agim Bubeqi tashmë është larguar nga kjo jetë, por historia e Flamurtarit dhe tronditja që ai dhe shokët e tij i shkaktuan Partizanit, pothuajse 40 vite më parë, vazhdon të jetojë”.








