Kush është zyrtari i afërt me pushtetin që e organizoi ardhjen e predikuesit islamik nga Bosnja

Redzho Kojiq, një zyrtar publik, sekretar i kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë, është personi përgjegjës i organizimeve ku pritej të ligjëronte Elvedin Peziq, predikuesi islamik nga Bosnja, i cili u arrestua të enjten nga Policia e Kosovës.

Peziq hyri në Kosovë të enjten dhe planifikonte të ligjëronte në tri xhami në fshatra të banuara me shumicë boshnjake në rajonin e Pejës dhe Prizrenit.

Organizimin e tri ligjëratave e kishte marrë përsipër organizata joqeveritare “Vullnetarët e Rinj” nga Kosova. Kjo organizatë drejtohet nga Redzho Kojiq, një zyrtar publik i afërt me koalicionin në pushtet. Kojiq ishte punësuar në KRU Hidrodrini në Pejë me vendim të bordit të kontrolluar nga pushteti i Vetëvendosjes.

Ai dyshohet se kishte krijuar akces në rrethet e Lëvizjes Vetëvendosje përmes lidhjeve me Emilja Redzepin. Një dokument i KQZ-së nga viti 2018, tregon se Kojiq kishte garuar për deputet në listën e Partisë së Re Demokratike të Redzepit.

Sipas informatave që ka siguruar Paparaci, përpos funksionit zyrtar në KRU Hidrodrini, Kojiq ishte licencuar edhe si përkthyes zyrtar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Por pjesa më e ndjeshme e informatave lidhet me aktivitetet fetare.

Sipas materialit, përmes organizatës dhe qasjes në fonde të ndryshme, Kojiq dyshohet se ka ndihmuar në organizimin e imamëve që vinin nga Serbia dhe Novi Pazari, përfshirë ligjërata, promovime librash dhe aktivitete të tjera fetare.

Këto aktivitete, sipas informatave, nuk janë kufizuar vetëm në një lokacion. Emra të ndryshëm të imamëve dhe personave të ardhur nga Novi Pazari pretendohet se janë shfaqur në xhami të ndryshme të komunitetit boshnjak në Kosovë, ndërsa një prej pikave kryesore të përmendura është Xhamia e Dobrushës në komunën e Istogut.

Sipas informatave, në këtë xhami pretendohet se ka pasur përplasje rreth orientimit fetar dhe drejtimit të aktiviteteve. Në qendër të pretendimeve është ish-imami Adnan Azeri, i përshkruar si imam i rrymës hanefite.

Pretendohet se ndaj tij është ushtruar presion dhe se, edhe pasi një pjesë e xhematit kishte kërkuar rikthimin e tij, ndërhyrjet e personave të ndryshëm pranë strukturave të Bashkësisë Islame në Istog kanë çuar në largimin e tij përfundimtar.

Nëse këto pretendime do të konfirmoheshin nga dokumentet përkatëse të BIK-ut dhe dëshmitë e personave të përfshirë, atëherë çështja do të ngrinte pyetje serioze për mënyrën se si është ndryshuar struktura fetare dhe menaxhimi i kësaj xhamie.

Por Dobrusha është vetëm një pjesë e mozaikut.

Në këtë histori përmenden edhe emra të tjerë, ndër ta Enes Goga dhe Skender Shkrijel. Sipas pretendimeve, Shkrijel, i cili ka kontakte dhe biznese në Bosnje dhe Evropë, ka ardhur në Kosovë dhe është parë duke lëvizur në Pejë e zona të tjera së bashku me Enes Gogën.

Një tjetër pretendim lidhet me libra fetarë që dyshohet se janë sjellë nga Novi Pazari dhe Bosnja dhe janë tentuar të shpërndahen në disa xhami të komunitetit boshnjak në Kosovë.

Sipas informatave të paraqitura, disa imamë nuk i kanë pranuar këto libra, ndërsa më pas pretendohet se ndaj tyre është ushtruar presion për t’i pranuar.

Në anën tjetër të këtij rrjeti qëndron familja Zukorliq.

Muamer Zukorliqi ishte një nga figurat më të fuqishme politike dhe fetare të Sanxhakut. Ai ishte lider i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit, deputet i Kuvendit të Serbisë dhe nga tetori 2020 deri në vdekjen e tij në nëntor 2021 ishte nënkryetar i Kuvendit të Serbisë.

Pas vdekjes së tij, djali i tij Usame Zukorliq mori drejtimin e partisë. Ai u zgjodh deputet dhe nënkryetar i Kuvendit të Serbisë në vitin 2022, ndërsa nga viti 2024 është pjesë e Qeverisë së Serbisë si ministër pa portofol përgjegjës për pajtimin, bashkëpunimin rajonal dhe stabilitetin shoqëror.

Kjo e bën familjen Zukorliq një faktor të rëndësishëm politik në Sanxhak dhe në raportet e saj me institucionet e Serbisë.

Pikërisht këtu lindin pyetjet për kontaktet e pretenduara me Kosovën.

Sipas informatave të siguruara nga Paparaci, persona të lidhur me Novi Pazarin, Bosnjën dhe diasporën boshnjake pretendohet se kanë pasur takime dhe lëvizje të shpeshta në Pejë dhe në pjesë të tjera të Kosovës. Në këto pretendime përmenden Enes Goga, Skender Shkrijel dhe persona të tjerë.

Po ashtu, pretendohet se aktivitetet e tyre kanë prekur edhe xhamitë e komunitetit boshnjak dhe se përmes tyre janë përcjellë ligjërata, materiale fetare dhe kontakte me persona nga Novi Pazari.

Mehdi Goga ligjërues në xhaminë e Dobrushës

Në këtë pikë, materiali përmend edhe figura të tjera, si Mehdi Goga dhe Rifat Mededoviq, për të cilët pretendohet se kanë pasur role në takime dhe organizime të zhvilluara në Xhaminë e Dobrushës.

Enes Goga dhe Rifat Mededoviq
Enes Goga dhe Rifat Mededoviq

Një prej pretendimeve më të forta është se disa takime janë zhvilluar në ambientet e xhamisë pa praninë e imamit dhe se aty janë diskutuar çështje që, sipas autorit të materialit, lidhen me organizimin dhe financimin e aktiviteteve.

Nëse ekzistojnë fotografi, video, komunikime ose dokumente financiare që i dëshmojnë këto takime, ato do të ishin elemente kyçe për të kuptuar se kush i organizonte, kush i financonte dhe çfarë qëllimi kishin.

Në material ngrihen gjithashtu pretendime për financime që dyshohet se kanë ardhur përmes një zinxhiri Novi Pazar–Bosnje–diasporë–Kosovë. Përmenden edhe blerje të pasurive dhe mjeteve me vlerë për persona të caktuar, por këto pretendime kërkojnë dokumente konkrete për t’u verifikuar.

Pra, tabloja që përpiqet të ndërtojë materiali është ajo e një rrjeti ku ndërthuren politika, institucionet fetare, organizatat joqeveritare, financimet dhe kontaktet ndërkufitare.

Megjithatë, një dallim duhet të bëhet qartë: të kesh kontakte me persona nga Novi Pazari, Bosnja apo diaspora nuk është në vetvete provë e aktivitetit të paligjshëm apo e lidhjeve me ekstremizëm. Për këtë arsye, çdo pretendim për financim, presion, ndikim politik apo lidhje me grupe radikale duhet të mbështetet me prova të verifikueshme.

Peziq është një predikues islamik nga Bosnje e Hercegovina, i cili prej vitesh është aktiv në internet dhe njihet për qëndrime konservatore dhe si një nga predikuesit që identifikohen me selefizmin.

Ai ka më shumë se 300 mijë ndjekës në Facebook dhe është aktiv edhe në platforma të tjera, ku publikon ligjërata, këshilla fetare dhe komente për çështje shoqërore.

Qëndrimet e tij janë kritikuar në të kaluarën në Bosnje e Hercegovinë.

Bashkësia Islame e Bosnjë e Hercegovinës kishte reaguar ndaj një deklarate të Peziqit për rolin e gruas në shoqërinë perëndimore, duke vlerësuar se qëndrime të tilla nuk janë në përputhje me mësimet islame për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit