Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke thënë se po shkelen afatet dhe rregullat kushtetuese për funksionalizimin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend.
Në reagimin e saj, PDK ka thënë se Kushtetuta përcakton që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Sipas kësaj partie, Gjykata Kushtetuese e ka bërë të qartë se ky afat nuk nënkupton vetëm nisjen e procesit, por përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda këtij afati.
PDK ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën se si po zhvillohet seanca konstituive, duke iu referuar Rregullores së Kuvendit, e cila përcakton se ndërprerjet e seancës, deri në përfundimin e procesit të konstituimit me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, nuk mund të zgjasin më shumë se 48 orë.
Sipas PDK-së, afati 30-ditor tashmë ka kaluar pa u konstituuar Kuvendi, ndërsa po shpërfillet edhe rregulli që përcakton kufizimin prej 48 orësh për ndërprerjen e seancës.
“Kushtetuta nuk është rekomandim. Aktgjykimet nuk janë opsionale. Rregullat vlejnë për të gjithë – edhe për pushtetin”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Kjo parti e ka cilësuar situatën si “suspendim dhe goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues të Republikës”, duke paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime për mbrojtjen e rendit kushtetues.
“PDK do ta mbrojë rendin kushtetues me çdo mjet”, përfundon reagimi.








