Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, është dënuar me vdekje në mungesë nga një gjykatë siriane për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Vendimi është marrë të martën, ndërsa së bashku me Assadin është dënuar me vdekje në mungesë edhe vëllai i tij, Maher al-Assad.
Me të njëjtin dënim është përballur edhe kushëriri nga ana e nënës së Bashar al-Assadit, Atef Najib, i cili ndodhet i arrestuar në Siri. Ai akuzohet për udhëheqjen e shtypjes së protestave në provincën Daraa në vitin 2011, ku të rinjtë u arrestuan dhe torturuan për grafite kundër regjimit.
Protestat në Daraa u shndërruan në një kryengritje masive kundër regjimit të Assadit dhe më pas në një luftë civile që zgjati për vite.
Bashar al-Assad u largua nga Damasku dhe u arratis drejt Moskës në dhjetor 2024, pasi regjimi i tij u rrëzua pas një ofensive të shpejtë të forcave kundërshtare.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, regjimi i Assadit është akuzuar për vrasjen e qindra mijëra njerëzve gjatë periudhës 2011–2021. Sipas UNHCR-së, më shumë se 13 milionë persona u zhvendosën si pasojë e luftës civile në Siri.
Për shkak se Assad ndodhet jashtë Sirisë, vendimi është dhënë në mungesë dhe nuk nënkupton arrestimin apo ekzekutimin e tij të menjëhershëm.








