Një aksident i rëndë trafiku me fatalitet ka ndodhur të hënën pasdite në fshatin Janqisht të Malishevës, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar.
Sipas Policisë së Kosovës, në aksident janë përfshirë një motoçikletë dhe një veturë civile. Dyshohet se aksidenti ka ndodhur pasi drejtuesi i motoçikletës, nga pakujdesia, ka kaluar në krahun e kundërt të rrugës dhe është përplasur me pjesën ballore të veturës.
Të dy personat e përfshirë në aksident, të dy meshkuj kosovarë, janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.
Policia njoftoi se më 11 gusht, rreth orës 01:50, mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e njërit prej personave të përfshirë në aksident.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.








