Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko e ka cilësuar si “gabim trashanik diplomatik” deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd, ku tha se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës mbetet i pandryshuar.
Goncharenko ka thënë se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, sovran dhe i njohur, duke theksuar se prej vitesh ka lobuar për njohjen e saj nga Ukraina.
“Besoj sinqerisht se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, sovran dhe i njohur. Për shumë vite kam luftuar për njohjen e Kosovës nga institucionet europiane, si Këshilli i Europës, si dhe nga Ukraina”, ka deklaruar ai.
Goncharenko ka kritikuar qëndrimin e Zelenskyt, duke thënë se Kosova është një prej mbështetësve dhe partnerëve më të besueshëm të Ukrainës në Ballkan.
“Besoj se vendimi i Zelenskyt është një gabim trashanik diplomatik, pasi Kosova është një nga mbështetësit tanë më të mëdhenj dhe partnerët tanë më të besueshëm në Ballkan”, ka thënë deputeti ukrainas.
Ai ka komentuar edhe heqjen e banerit “Free Ukraine” nga qendra e Prishtinës, duke e konsideruar atë si një sinjal se Ukraina mund të humbasë një aleat.
Duke folur për arsyet që mund ta kenë shtyrë Ukrainën të ruajë këtë qëndrim ndaj Kosovës, Goncharenko ka përmendur mundësinë që Kievi të synojë afrimin me Serbinë dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik e ushtarak me të.
Ndërkaq, lidhur me argumentin se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës mund të jetë i ndikuar nga përdorimi që Rusia i ka bërë Kosovës si precedent për Donetskun dhe Luhanskun, Goncharenko ka thënë se ky argument nuk qëndron më.
“Putini po e shantazhonte Ukrainën lidhur me çështjen e Kosovës dhe, për fat të keq, ia doli. Megjithatë, jemi në vitin 2026. Rusia i ‘njohu’ të ashtuquajturat DPR dhe LPR, duke i përdorur ato si casus belli, dhe më pas i ‘integroi’. Shantazhi i Putinit nuk funksionon më”, ka deklaruar ai.
“Prandaj nuk e kuptoj vendosmërinë e Zelenskyt për çështjen e njohjes”, ka shtuar Goncharenko.








