Devijimi i lumit Ibër do të ishte vazhdimi i genocidit serb në Kosovë!

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot ka paralajmëruar se po studion mundësinë e devijimit të lumit Ibër dhe të shmangë kështu derdhjen e tij në Ujman, nga ku Kosova plotëson thuajse 70 përqind të nevojave të veta për ujë. Ky akt i bërë publik sot nga kreu i shtetit serb është shpallje lufte dhe vazhdim i genociidit serb kundër shqiptarëve. Sigurisht që është një kërcënim serioz, i cili bie ndesh me parimet themelore të rendit ndërkombëtar gjithashtu. Dilema nuk është nëse Vuçiq do apo nuk do që t’i asgjësojë shqiptarët përmes akteve të tilla për të cilat foli. Sigurisht që ai do të kishte dashur ta bënte këtë me kohë. Dhe ka shumë dëshirë ta realizojë një projekt të tillë. A do të mundet ta bëjë këtë? Kjo varet nga qëndrimi i aktorëve perendimorë, Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe njëkohësisht Turqisë. Këtë të fundit e urrejnë në dashuri në Beograd. Varet edhe nga bashkimi i shqiptarëve, elitës politike dhe intelektuale e akademike të tyre.

Më duhet të theksoj se ndërpreja e burimit të ujit përmes lumit Ibër në Ujman është një kërcënim serioz i presidentit dhe qeverisë së Serbisë kundër Kosovës. Që do të thotë se institucionet e Kosovës do të duhet të merren serioozisht me këtë deklaratë të ish shefit të propagandës së Sllobodan Milosheviçit. Pra, që diplomacia e Kosovës dhe ajo shqiptare të hartojë një projekt të përbashkët për t’iu kundërvënë planeve të tilla. Mundësitë ekzistojnë. Duhet vetëm angazhim, seriozitet dhe përkushtim. Në fund të fundit Serbia tashmë është thuajse plotësisht e varur ekonomikisht nga BE dhe SHBA. Një fakt: – Sipas një raporti të zyrës së BE-së në Beograd, eksporti i mallrave të Serbisë për në vendet e Bashkimit Europian është rritur nga 9 miliard euro në vitin 2009, në 24 miliard euro në vitin 2024. Në këtë hark kohor janë shtatëfishuar edhe investimet e huaja të vendeve të BE-së në Serbi, të cilat kanë arritur shifrën gjithashtu të 24 miliard eurove. Mjafton këto dy shifra statistikorë që BE të ndalojë veprimet destruktive të Aleksandër Vuçiq në Kosovë e më gjerë.

Shpjegova varësinë ekonomike të Serbisë në Perendim, për të theksuar se ekziston fuqia euro-atlantike për ta zbrapsur agresionin genocidist të Serbisë në Kosovë. Por duhet punë dhe mend. Duhen përdorur gjithashtu taktika dhe strategji fituese. Nëse ne shqiptarët vazhdojmë të fraksionuar, disa të punojmë për veten, disa për Serbinë, disa për partinë dhe vetëm pak për shtetin dhe atdheun e kombin, atëherë projekti i Aleksandër Vuçiq për ta lënë Kosovën pa ujë mund të bëhet realitet. Nëse bashkohemi dhe në momentin aktual fokusohemi te ndërtimi i institucioneve të Kosovës, atëherë Beogradi do ta ketë të vështirë. Reagimi i ndërkombëtarëve dhe kompaktësimi i shqiptarëve janë dy shtyllat e parandalimit të aktëve të çmendurisë serbe në lidhje me projektin e devijimit të lumit Ibër nga shtrati I tij aktual.

Çfarë duhet bërë? Në ditët që vijnë do të ketë shqipfolës argatë të Serbisë, të cilët do t’i kërkojnë qeverisë dhe kryeministrit të Kosovës të bëjë kompromis me Serbinë. Shkurt të rinisë dialogun, të krijojë asosacionin dhe të lejojë “vetëqeverisjen e sërbëve në veri të vendit” nën administrimin e Beogradit. Nëse ndodh kjo, Kosova do të shuhet çdo ditë e nga pak, por pa u ndalur. Uji nuk devijon, por territori i saj ku tashmë është Ujmani gradualisht do të bëhet territor i Serbisë. E në këtë rast Kosova humb dyfish. Jo vetëm territorin, por edhe shtetësinë. Vetëm se këto i humb përmes penicilinës gjumëvënëse të këlyshve të Serbisë në Tiranë, Prishtinë e gjithandej.

Ndaj dhe në përballje me Serbinë duhet gjet mënyra e një përgjigje reciproke, nëse Vuçiq e ka seriozisht devijimin e Ibrit. Përgjigjet reciproke shkojnë dhe harmonizohen në dimensione të ndryshme. Që nga mbyllja e tregut dhe gjithçka tjetër me Serbinë, deri te mundësia që në rast se realizohet ky projekt serb të lihen pa ujë fillimisht e të gjitha komunat serbe në Kosovë, në veri e në jug të Ibrit. Kjo jo për hakmarrje ndaj serbëve në Kosovë, por për t’u thënë atyre se shefi i shtetit të Serbisë i ka tradhtuar e braktisur edhe ata. I ka lënë pa ujë edhe serbët në Kosovë. Ndaj dhe nuk është Kosova përgjegjëse për atë që bën shteti i Serbisë për serbët e Kosovës. Sepse pa ujë do të jenë edhe shqiptarët. Ka edhe alternative të tjera, akoma më radikale, por shpresoj që të mos shkohet deri atje. Vetëm reciprociteti në sjellje, në politikë dhe në diplomaci e bën Serbinë të jetë racionale, aq sa mund të jetë racional një shtet genocidial.

Por e theksoj, më e rëndësishmja është që shqiptarët të bëhen bashkë. Të gjuajnë edhe me topa atë që kërkon ta përsërisë genocidin e vitit 1998-1999 dhe jo me vezë atë që e mbron territorin dhe dinjitetin e Kosovës! Kaq mjafton që të bëhemi bashkë. Sot është kryeministër Albin Kurti, nesër do të jetë dikush tjetër. Kosova është dhe do të jetë aty. Por vetëm nëse e mbrojmë të gjithë bashkë prej armikut të pashpirt e mizor, Aleksandër Vuçiq dhe vetë Serbisë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit