Një ngjarje e rëndë e raportuar ditë më parë në Prizren ka përfunduar tragjikisht. I riu që kishte rënë nga kati i katërt i një objekti më 2 gusht ka ndërruar jetë pas disa ditësh trajtimi në QKUK.
Viktima është Egzon Kabashi, rreth 18-vjeçar.
Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku, sipas informacioneve të rastit, Kabashi kishte rënë nga kati i katërt i kompleksit “Fat Group-1”.
Pas incidentit, 18-vjeçari ishte dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa rasti fillimisht, me udhëzim të Prokurorit kujdestar të Departamentit për të Mitur, ishte evidentuar përmes një shënimi zyrtar.
Por më 8 gusht, Policia e Kosovës është njoftuar përmes kanaleve zyrtare nga QKUK-ja se Egzon Kabashi ka ndërruar jetë.
Pas konfirmimit të vdekjes është njoftuar Prokurorja e Departamentit për të Mitur, me udhëzim të së cilës rasti ka kaluar nga shënimi zyrtar në procedurë hetimore dhe është cilësuar “Hetim i vdekjes”.
Në koordinim me Prokuroren, hetuesit rajonalë kanë vazhduar veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave në të cilat i riu kishte rënë nga objekti.
Është njoftuar edhe ekipi i Mjekësisë Ligjore, ndërsa trupi i viktimës do t’i nënshtrohet autopsisë.
Hetimet tashmë pritet të përcaktojnë rrethanat e sakta që çuan në rënien fatale të 18-vjeçarit.








