Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka reaguar pas shtyrjes së seancë për konstituimin e Kuvendit, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk propozoi kandidat për kryetar të Kuvendit.
Ambasada Britanike ka theksuar se Kosova ka kaluar shumë ditë pa një parlament plotësisht funksional gjatë dy viteve të fundit.
Në reagim thuhet se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi politikanët e Kosovës, të cilët, sipas ambasadës, duhet të punojnë së bashku për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut dhe negociatave paqësore.
“Parlamenti është zemra e demokracisë. Ai e mban qeverinë përgjegjëse dhe mundëson miratimin e legjislacionit që mund ta çojë shoqërinë dhe ekonominë përpara. Kosova ka qenë pa një parlament plotësisht funksional për shumë ditë gjatë dy viteve të fundit. Kjo është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës, jo e sistemit të saj. Tani ata duhet urgjentisht të punojnë së bashku për ta zgjidhur këtë situatë përmes dialogut dhe negociatave paqësore, në të mirë të popullit të mrekullueshëm të Kosovës dhe partneriteteve të saj ndërkombëtare”, thuhet në reagim.








