Kurti ftoi kreun e Aleancës në takim për konstituimin e institucioneve, Gjini e refuzon: Rruga që po ndiqni është e dëmshme

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, duke e ftuar në takim për të diskutuar konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të.

Në letrën drejtuar Gjinit, Kurti ka uruar deputetët e Aleancës për dhënien e betimit, ndërsa ka theksuar nevojën për bashkëpunim ndërmjet forcave politike për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit, Qeverisë dhe Presidentit.

“Konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të (zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe e Presidentit) kërkon bashkëveprim e bashkërendim të të gjithë neve. Pluralizmi politik në demokraci është konkurrencë me bashkëpunim”, ka shkruar Kurti.

Ai ka propozuar që takimi të mbahet të premten në orën 16:00 në Zyrën e Kryeministrit, ndërsa ka ofruar edhe mundësinë që të udhëtojë në Gjakovë për t’u takuar me Gjinin.

“Andaj ju ftoj që të takohemi sot pasdite në ora 16:00 në Zyrën e Kryeministrit. Po ashtu, në mbrëmje mund të vij unë në Gjakovë”, ka shkruar Kurti.

Megjithatë, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e ka refuzuar ftesën, duke thënë se qëndrimet e Aleancës lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të ditura më herët.

“Qëndrimet e Aleancës dhe të miat në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të qarta më shumë se një herë. Jam i bindur se ju i dini ato, prandaj nuk shoh asnjë nevojë që të takohemi për këtë çështje”, ka deklaruar Gjini.


Kreu i Aleancës ka thënë se, ndonëse pajtohet se demokracia kërkon bashkëpunim, nuk pajtohet me rrugën politike të ndjekur nga Kurti.

“Edhe pse pajtohem se demokracia kërkon bashkëpunim, jam thellësisht i bindur se rruga që ju po e ndiqni është e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën. Shpresoj që këtë ta kuptoni edhe vetë”, ka shkruar Gjini.

Në fund të përgjigjes së tij, Gjini ka shprehur dyshimin se ftesa e Kurtit mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të krijuar një narrativë për mungesë bashkëpunimi nga opozita.

“P.S. këtë mesazh po e kuptoj si tendencë për të rradhitur ftesa për takim dhe për ta konsumuar hapësirën për fajësim për mosbashkëpunim”, ka shkruar Gjini.

Ndërkaq, Kurti në letrën e tij ka theksuar se Vetëvendosje mbetet e gatshme për komunikim dhe bashkëpunim me Aleancën.

“Mund të llogarisni çdo herë në komunikim të rregullt dhe bashkëpunim kolegial me ne për të mirën e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit