Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, që kjo parti ta marrë pozitën e presidentit të vendit.
Kurti ka thënë se kërkesat për pozita shtetërore duhet të jenë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve dhe se nuk mund të ketë një devijim të tillë nga vullneti i qytetarëve.
Ai ka deklaruar se, nëse ekzistojnë ambicie të tilla për ndarjen e pozitave, atëherë nuk do të kishte nevojë të mbaheshin zgjedhje, por liderët politikë do të mund të takoheshin dhe të ndanin pushtetin mes tyre.
“Fituesi i zgjedhjeve është fitues i jashtëzakonshëm. Në këtë situatë e kemi të pamundur të bëjmë marrëveshje që e deformon rezultatin zgjedhor. Por nëse në skenën tonë gjallojnë super ambiciet, atëherë s’mbajmë zgjedhje fare, edhe takohemi si liderë fisesh në oda të burrave”, ka thënë Kurti.








