LDK pas Kuvendit të Jashtëzakonshëm: Fituesi i vërtetë është demokracia

Shkruan: Ismet Haziri

Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ishte më shumë sesa një proces zgjedhor i brendshëm. Ai ishte një provë e pjekurisë demokratike të një subjekti që historikisht është identifikuar me institucionet, pluralizmin dhe kulturën e debatit. Prandaj, është e rëndësishme të thuhet qartë: LDK nuk është parti e asnjë individi, përfshirë edhe kryetarin e saj. Ajo është një organizatë politike që ndërtohet mbi vullnetin e anëtarësisë, mbi statutin dhe mbi vendimmarrjen demokratike.

Për këtë arsye, askush nuk duhet të dalë nga ky proces me krekosje personale duke u vetëshpallur fitues. Fituesi i vetëm dhe i vërtetë është anëtarësia e LDK-së, elektorati i saj dhe strukturat partiake, të cilat dëshmuan edhe një herë se në këtë parti respektohet e drejta për mendim ndryshe, për debat të hapur dhe për garë demokratike. Por demokracia nuk përfundon me votimin; ajo vazhdon me respektimin e vendimit të shumicës. Kjo është përgjegjësi e çdo anëtari dhe funksionari politik.

Kuvendi tregoi se LDK ka kapacitet jo vetëm të zhvillojë debate të brendshme, por edhe të dalë prej tyre më e fortë dhe më e konsoliduar. Pikërisht kjo e dallon një parti demokratike nga një parti e ndërtuar mbi kultin e individit.

Rikonfirmimi i Lumir Abdixhikut në krye të LDK-së është një mesazh i qartë i delegatëve për vazhdimësinë e drejtimit politik. Pas këtij vendimi, çdo energji duhet të orientohet drejt forcimit të subjektit dhe përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme. Ambicia për të udhëhequr është legjitime në çdo parti demokratike, por ajo duhet të realizohet përmes garës së ndershme, respektimit të statutit dhe fitimit të besimit të shumicës. Çdo anëtar që ka vizion dhe mbështetje duhet ta ketë këtë mundësi.

Njëkohësisht, LDK duhet të vazhdojë të promovojë dhe t’i japë hapësirë figurave me kredibilitet dhe përgatitje profesionale. Në këtë kontekst, Vjosa Osmani mbetet një nga personalitetet më të përgatitura në fushën e diplomacisë dhe të përfaqësimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Natyrisht, mund të ketë mendime të ndryshme për figurën e saj dhe kjo është krejtësisht normale në një shoqëri demokratike. Megjithatë, shtetet dhe partitë përparojnë kur dinë të vlerësojnë dhe të mbështesin njerëzit me integritet, profesionalizëm dhe besueshmëri.

Por Kuvendi i Jashtëzakonshëm duhet të shënojë edhe fundin e debateve të brendshme dhe fillimin e një faze të re politike. LDK duhet të ecë përpara drejt misionit të saj themelor: ndërtimit të institucioneve të forta, forcimit të shtetit ligjor, mbrojtjes së rendit kushtetues dhe konsolidimit të demokracisë në Kosovë.

Në të njëjtën kohë, zhvillimi ekonomik dhe infrastruktura duhet të jenë në qendër të programit të saj politik. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa investime strategjike në infrastrukturë. Në këtë kuadër, një nga projektet më jetike për Kosovën mbetet ndërtimi i Unazës së Kryeqytetit. Ky projekt nuk është vetëm një investim lokal për Prishtinën, por një investim me rëndësi kombëtare. Ai do të ndikonte drejtpërdrejt në lehtësimin e qarkullimit, uljen e kostove të transportit, zhvillimin ekonomik, përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së kryeqytetit si qendra administrative, ekonomike dhe universitare e Kosovës.

Kosova ka nevojë për një opozitë të fortë, por edhe për një alternativë qeverisëse të besueshme. LDK ka përvojën, traditën institucionale dhe kapitalin njerëzor për ta luajtur këtë rol. Mirëpo, kjo kërkon unitet rreth parimeve, jo rreth individëve; kërkon konkurrencë të lirë brenda partisë, por edhe disiplinë demokratike pas marrjes së vendimeve.

Në fund, mesazhi më i rëndësishëm i këtij Kuvendi është se fitues nuk është një individ, por demokracia. Pikërisht mbi këtë demokraci të brendshme, mbi respektimin e mendimit ndryshe dhe mbi zbatimin e vendimit të shumicës, LDK duhet të ndërtojë rrugën e saj drejt rikthimit si forcë udhëheqëse në qeverisjen e Kosovës dhe si bartëse e projekteve zhvillimore që i duhen vendit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit