Kryeministri Edi Rama ka akuzuar aktorë të huaj se po nxisin tensionet në Shqipëri, duke i cilësuar zhvillimet e fundit si pjesë të një lufte hibride. Gjatë një deklarate për mediat mëngjesin e sotëm, Rama pretendoi se protestat po shfrytëzohen nga grupe të organizuara për të sulmuar policinë.
Sipas kreut të qeverisë, shqetësimet e qytetarëve për koston e jetesës, strehimin dhe nevojat e tjera janë reale, por, sipas tij, ato po përdoren për të krijuar një realitet të shtrembëruar dhe për të nxitur përplasjet.
“Ky është një sulm që kryhet, që orkestrohet nga duar të stërvitura për këto punë, që ushqehet si benzinë me zjarr të brendshëm, nga aktorë të huaj. Dhe ku u projektohet qytetarëve një realitet i kombinuar, hibrid. Është një luftë hibride, funksionon deri në këtë masë, sepse bazohet në shqetësimet reale. Janë reale shqetësimet për koston e jetesës, për strehimin, për të pasur më shumë etj.”, deklaroi Rama.
Kryeministri u ndal edhe te bilanci i të lënduarve gjatë protestave, duke bërë të ditur se rreth 200 efektivë policie kanë mbetur të lënduar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në spital. Ndërkohë, sipas shifrave të paraqitura prej tij, numri i protestuesve të lënduar arrin në rreth 80.
Rama deklaroi gjithashtu se më pak se gjysma e protestuesve të lënduar janë studentë, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, u përket grupeve të të rinjve të maskuar që kanë marrë pjesë në sulmet ndaj policisë.
“Të tjerët janë të rinj, që i përkasin grupit të zjarrit, të maskuar, të paguar, për të sulmuar policinë”, theksoi Rama.








