Momente tensioni janë regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Cincinnati/Northern Kentucky në SHBA, ku një avion mallrash Boeing 777-300ER preku pistën me bisht gjatë një tentative uljeje, duke shkaktuar shkëndija.
Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), incidenti ndodhi të dielën, kur avioni i kompanisë Kalitta Air, që kryente fluturimin 264 nga Brukseli, tentoi të ulej, por manovra nuk rezultoi e suksesshme. Gjatë afrimit, bishti i avionit preku pistën, duke shkaktuar shkëndija, përpara se piloti të kryente një manovër ngritjeje dhe të provonte sërish uljen.
Pamjet e siguruara nga Fox19 tregojnë momentin kur bishti i avionit zvarritet në pistë, ndërsa dëgjohen reagimet e habitura të personave që po e ndiqnin ngjarjen.
Avioni u ul me sukses rreth orës 20:15 sipas orës lokale. Menaxheri i operacioneve të Kalitta Air, Heath Nichol, bëri të ditur se asnjë anëtar i ekuipazhit nuk u lëndua dhe se avioni u dërgua menjëherë për inspektim teknik.
FAA ka njoftuar se ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e incidentit.








