Lionel Messi ka folur për një nga rastet më të veçanta të karrierës së tij, pasi një fotografi e realizuar 19 vite më parë e ka lidhur emrin e tij me yllin e ri të Spanjës, Lamine Yamal. Kapiteni i Argjentinës tha se është e pabesueshme që sot ata do të jenë përballë njëri-tjetrit në finalen e Kupës së Botës.
“Është diçka e pabesueshme. Jeta të surprizon. Kam bërë një foto me të kur ishte vetëm një foshnjë dhe tani do të luajmë kundër njëri-tjetrit në finalen e Botërorit”, deklaroi Messi gjatë një aktiviteti të organizuar nga FIFA në “Fan Fest”.
Ylli argjentinas e vlerësoi maksimalisht Yamalin, duke thënë se 19-vjeçari tashmë është një nga futbollistët më të rëndësishëm në botë.
“Lamine është një futbollist i jashtëzakonshëm. E kam ndjekur nga afër, sepse luan në një klub që e dua shumë. Edhe pse është vetëm 19 vjeç, ai tashmë është një nga lojtarët më të rëndësishëm në futbollin botëror. Ka gjithë karrierën përpara dhe mundësinë për të shkruar histori”, u shpreh Messi.
Megjithatë, kapiteni i Argjentinës theksoi se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për ta ndalur talentin spanjoll në ndeshjen finale.
“Ne do të përpiqemi që kjo të mos ndodhë këtë herë”, tha Messi me buzëqeshje.
Ai shtoi se fotografia e vjetër me Yamalin është një shembull i mënyrës sesi futbolli mund të krijojë histori të jashtëzakonshme.
“Është një nga më të mirët në botë në këtë moment. I uroj shumë suksese, sepse suksesi i tij është edhe suksesi i Barcelonës. Por ne do të bëjmë maksimumin që ai të mos ketë ditën e tij më të mirë”, përfundoi Messi.
Pavarësisht lavdërimeve për Yamalin, Messi kujtoi se forca e Spanjës nuk qëndron vetëm te ylli i Barcelonës, pasi skuadra iberike ka shumë futbollistë të tjerë të nivelit të lartë.








