Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave që e lidhin terroristin, Milan Radojçiqin me përgjegjësinë për situatën e sigurisë dhe largimin e serbëve nga Kosova, duke i cilësuar ato si “akuza të mjera dhe të turpshme”.
Në një postim në rrjetin social “X”, Petkoviq ka sulmuar liderin opozitar serb Mirosllav Aleksiq, duke kundërshtuar pretendimet se përgjegjësia për terrorin ndaj serbëve bie mbi Radoiçiqin.
“Është një akuzë e mjerë dhe e turpshme të thuhet se për terrorin ndaj serbëve është fajtor Radoiçiqi, e jo Kurti, i cili urren serbët. Aleksiqi më në fund duhet të mësojë se një patriot serb nuk e dëbon popullin e vet, por lufton për të me zemër e me shpirt, ashtu siç as Aleksiqi dhe as Rashiqi nuk do ta kuptojnë kurrë, e aq më pak do të dinë ta bëjnë”, shkroi Petkoviqi në rrjetin social “X”.








