Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini në një konferencë për media tha se Kosova po rrezikon të futet sërish në krizën e mungesës së institucioneve.
Ai tha se Aleanca është e gatshme për të kontribuar në këtë proces, megjithatë përmendi disa kërkesa.
“Fatkeqësisht po krijohet një ndjenjë që Kosova prapë rrezikon me mbetë për një kohë të gjatë pa institucione, situatë e cila nuk shkon në favor as të qytetarëve as të zhvillimit strategjik të shtetit të Kosovës. Gjithçka është peng, gjithçka është blloku, tashmë është blloku për 1 vit e gjysëm. Në këto rrethana Aleanca duhet me deklaru si vijon. Ne nuk kemi asnjë kusht vetiak, nuk synojmë asnjë pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës, mirëpo i kemi disa kërkesa të cilat janë jetike në mënyrë që Aleanca ta kryejë punën e vet në ndihmë të krijimit të institucioneve”, ka thënë ai.
Gjini deklaroi se kërkesa kryesore e Aleancës është pranimi i gazit të lëngshëm amerikan i cili sipas tij do të tregojë orientimin afatgjatë strategjik të shtetit.
“Institucionet e reja të Kosovës duhet qartë me pranu orientimin strategjik, me pranu projektin e gazit të lëngshëm amerikan. Ky është jo vetëm projekt energjetik, ky është projekt strategjik që e tregon orientimin afatgjatë të shtetit tonë. Shteti duhet menjëherë të nis procedurat e ndërtimit edhe termocentralit të ri me thëngjill, duhet me u shfrytëzu thëngjilli jonë menjëherë. Institucionet e reja duhet menjëherë me ngrit pragun e TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro, ka qenë premtim elektoral dhe sot e përsëris, një veprim i tillë kishte me çliruar potencialin e jashtëzakonshëm të ndërmarrjeve të vogla që në Kosovë janë rreth 100 mijë. Ne kërkojmë që tokat e punuara të lirohen nga tatimi në pronë, t’u lihet frymëmarrje bujqëve të Kosovës”, tha Gjini.








