Policia kishte njoftuar se rreth orës 09:00 të datës 22 qershor, Valmir Morina, punëtor i kontraktuar nga Swiss Construction Holding, ishte dërguar pa shenja jete në Emergjencën e Prizrenit.
Kjo, pasi që tashmë i ndjeri s’kishte arritur t’u mbijetojë lëndimeve të marra në vendin e punës. Kompania Swiss Construction Holding rreth orës 15:00 kishin promovuar objektin ku kishte humbur jetën Valmir Morina, me moton “Të jetosh mirë fillon nga lokacioni”.
Sipas informacioneve fillestare, gjatë procesit të punës, nga mikseri i betonit ishte shkëputur një gyp, i cili dyshohet se e kishte goditur viktimën, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
“E vendosur pranë shkollave, institucioneve shëndetësore dhe daljeve kryesore të qytetit, kjo është adresa ku koha dhe komoditeti bashkohen, prandaj zgjedhe edhe ti banesën e preferuar dhe bashkëjeto me qetësinë dhe funksionalitetin e plotë“, thuhet ndër të tjera në përshkrimin promovues të tyre.

Policia kishte njoftuar se tragjedia ku kishte humbur jetën Valmir Morina kishte ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit. Kompania Swiss Construction Holding nuk kishte bërë asnjë reagim zyrtar e as shprehje ngushëllimi për familjen. Në vend të saj, siç u pa më lart, kishte vendosur ta promovojë kompleksin e ri.
Siç është raportuar në disa media, gjatë procesit të punës, nga mikseri i betonit dyshohet se ishte shkëputur një gyp, i cili dyshohet se e kishte goditur tashmë të ndjerin, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Po ashtu u raportua se Valmiri ishte djali i vetëm dhe mbante familjen pas vdekjes së babait vite më parë.
Pas daljes së hetuesve në vendin e ngjarjes, dyshohet se i dyshuari A.G., person përgjegjës për auto-betonierën, nuk e kishte siguruar mjetin në mënyrë adekuate gjatë procesit të punës.
I dyshuari më pas ishte ndaluar për 48 orë. A.G po dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse në vendin e punës”.
Sipas të dhënave të publikuara në ARBK, Swiss Construction Holding është kompani e themeluar në vitin 2024 nga katër aksionarë: subjekti juridik Lika Holding Sh.P.K. me 25%, Arben Mikullovci me 25%, subjekti juridik MMA Invest AG me 25% dhe subjekti juridik LlD Sh.P.K. me 25%.
Lika Holding është në pronësi të biznesmenit të fuqishëm Esat Lika, i cili biznesin e patundshmërisë e ka zgjeruar edhe në Zvicër.

Lika është njëri nga dy ndërtuesit e “Shtëpisë së Kosovës” e ndërtuar në Davos, ku edhe mbahet Forumi Ekonomik Botëror.









