Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim për ndalimin e ekzekutimit të dy rregulloreve të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente.
Sipas vendimeve të miratuara, bëhet fjalë për:
Ndalimin e ekzekutimit të Rregullores për pranimin dhe trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare (Ex-Officio) të OAK-së
Ndalimin e ekzekutimit të aktit administrativ mbi lartësinë e shpenzimeve për regjistrim të Odës së Avokatëve të Kosovës
Të dy këto vendime do të mbeten në fuqi deri në vendimin përfundimtar të gjykatës kompetente.
Ky vendim ka nxitur reagim të fortë nga Oda e Avokatëve të Kosovës, e cila një ditë më parë kishte shprehur shqetësim dhe kundërshtim ndaj përpjekjeve për pezullimin e akteve të saj normative.
Në reagimin e saj, OAK thekson se këto akte janë miratuar nga organet legjitime të saj në përputhje me Ligjin për Avokatinë, Statutin e OAK-së dhe standardet e vetëqeverisjes së profesionit të avokatit, duke shtuar se ato nuk janë produkt i vullnetit politik.
“Çdo përpjekje për t’i pezulluar ato nuk përbën vetëm ndërhyrje në akte të caktuara normative, por përbën ndërhyrje në vetë autonominë institucionale të Odës së Avokatëve të Kosovës,” thuhet në reagim.
OAK shton se Oda nuk është organ i pushtetit ekzekutiv dhe as departament i Ministrisë së Drejtësisë, por institucion i pavarur me kompetenca të garantuara ligjore për vetërregullim dhe vetëqeverisje profesionale.
“Pikërisht për këtë arsye, është thellësisht shqetësues fakti që pushteti ekzekutiv po tenton të krijojë një precedent të rrezikshëm,” thuhet më tej, duke paralajmëruar se një praktikë e tillë cenon parimet e shtetit demokratik dhe ndarjen e pushteteve.
Oda i ka bërë thirrje Qeverisë që të heqë dorë nga këto iniciativa dhe të respektojë kufijtë kushtetues e ligjorë të kompetencave të saj, duke theksuar se nuk do të pranojë ndërhyrje në autonominë e saj institucionale.
“Ne do të mbrojmë çdo kompetencë që ligji na e ka besuar… pavarësia e avokatit nuk është privilegj, por garanci e lirisë së qytetarëve dhe ajo nuk negociohet,” thekson OAK në reagim.








