Disa lote prodhimi të ujit mineral “Kllokoti” kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të Borit (Boron), sipas njoftimit të Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF).
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes RASFF, është njoftuar për largim nga tregu të produktit “Ujë Mineral” me origjinë nga Kosova. Pas kryerjes së testeve laboratorike, është konstatuar nivel i lartë i Borit (Boron), duke tejkaluar kufijtë e lejuar. Rasti i njoftimit mban nr. 2026.5529.
Të dhënat e produktit:
Emri i produktit: Ujë Mineral
Brendi: UJË KLLOKOTI
Kompania eksportuese: Rugove SH. P. K
Paketim: 1.5 L, datë skadimi: 05.01.2027 dhe 07.04.2027
Paketimi: 0.5 L, datë skadimi: 16.02.2027 / 19.02.2027 / 04.04.2027 dhe 07.04.2027
Arsyeja e njoftimit: Përmbajtje e lartë e Borit (Boron) në ujë mineral
Niveli i rrezikut: SERIOZ
Vendi eksportues: Kosovë
Pas njoftimit përmes sistemit RASFF, AUV ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet ligjore me qëllim parandalimin e rreziqeve të mundshme për shëndetin e konsumatorëve. Inspektimi do të nisë te prodhuesi, me qëllim identifikimin e burimit të kontaminimit.
Po ashtu, do të vazhdojë gjurmimi për verifikimin e të gjitha loteve të prodhimeve ekzistuese dhe të lidhura me rastin e raportuar. Operatori ekonomik distributor është urdhëruar të nisë menjëherë tërheqjen nga tregu të produktit sipas datave të skadencës.
Gjithashtu, konsumatorët që posedojnë produktin me të dhënat e lartcekura, sipas datave të skadimit, janë të obliguar ta kthejnë menjëherë në pikën e blerjes.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes AUV-së, ka bërë të ditur se do të ndërmarrë të gjitha veprimet në afat sa më të shkurtër kohor për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.








