Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin për rialokimin e mjeteve buxhetore për katër projekte infrastrukturore në disa komuna të vendit, në vlerë totale prej 1 milion euro.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, bëri të ditur se projektet përfshijnë ndërhyrje në infrastrukturë rrugore, ujësjellës, hapësira publike dhe objekte sportive.
Sipas tij, projekti i parë parasheh rindërtimin e urës së Sitnicës në Komunën e Mitrovicës së Jugut, me vlerë prej 400 mijë euro. Projekti i dytë përfshin rregullimin e kanalizimit dhe asfaltimin në qytet dhe në disa fshatra të Komunës së Shtimes, në vlerë prej 300 mijë euro.
Ndërkohë, projekti i tretë ka të bëjë me rivitalizimin e zonave publike dhe infrastrukturës rekreative malore në Komunën e Pejës, po ashtu në vlerë prej 300 mijë euro.
Projekti i katërt parasheh ndërtimin e një salle sportive të jashtme në shkollën “Mustafa Dumoshi” në Dumosh të Komunës së Podujevës, me vlerë prej 50 mijë euro.








