Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Anton Quni, i ka bërë thirrje anëtarëve të këtij subjekti politik për unitet, pas kërkesave të tri degëve për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit.
Quni me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se është koha e afrimit të njëri-tjetrit dhe se asnjë dallim s’guxon të jetë më i madh sesa LDK’ja.
“Është koha e afrimit të njëri-tjetrit dhe jo e largimit. Secili prej nesh ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe vend të pacenueshëm në këtë strukturë, prandaj asnjë dallim nuk guxon të jetë më i madh se qëllimi ynë i përbashkët”, deklaroi Quni.
“Ju ftoj të gjithëve të më punojmë për pajtim, duke lënë anash çdo gjë që na ndan; për bashkim, duke u rreshtuar rreth vlerave tona të përbashkëta; dhe për urtësi, duke dëshmuar pjekurinë politike që e ka karakterizuar gjithmonë LDK-në”, vijon shkrimi i tij.
Reagimi i plotë:
Të dashur anëtarë, simpatizantë dhe strukturë e LDK-së,
Shtëpia jonë politike ka qenë gjithmonë dhe mbetet shtylla e shtetndërtimit dhe e demokracisë në Kosovë. Forca jonë nuk buron nga mungesa e debateve apo e mendimeve ndryshe, por nga aftësia e jashtëzakonshme për t’i tejkaluar ato me maturi dhe respekt reciprok.
Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet të plotë. Kemi nevojë të bëhemi shembulli më i mirë se si çdo pakënaqësi, çdo dallim dhe çdo sfidë e zgjidhim brenda familjes sonë – brenda shtëpisë së madhe të LDK-së. Vendi i bashkimit është tryeza jonë e përbashkët e bisedimit dhe e mirëkuptimit, ku interesat e shtëpisë sonë qëndrojnë gjithmonë mbi çdo interes tjetër.
Unë jam plotësisht për bashkëpunimin e ngushtë mes Lumirit, Gazit, Imriut dhe secilit koleg e veprimtar që i rreh zemra për rrugëtimin tonë.
Është koha e afrimit të njëri-tjetrit dhe jo e largimit. Secili prej nesh ka një kontribut të jashtëzakonshëm dhe vend të pacenueshëm në këtë strukturë, prandaj asnjë dallim nuk guxon të jetë më i madh se qëllimi ynë i përbashkët.
Ju ftoj të gjithëve të më punojmë për pajtim, duke lënë anash çdo gjë që na ndan; për bashkim, duke u rreshtuar rreth vlerave tona të përbashkëta; dhe për urtësi, duke dëshmuar pjekurinë politike që e ka karakterizuar gjithmonë LDK-në.
Vetëm të bashkuar, me urtësi dhe me besim tek njëri-tjetri, mund të jemi udhërrëfyesi dhe forca që i duhet vendit tonë.
Na priftë e mbara! ![]()








