Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj dhe asamblisti komunal, Hysni Mehani, ka deklaruar se kanë kaluar 42 ditë nga sulmi ndaj tij, ndërsa, sipas tij, ende nuk ka informacione zyrtare për prokurorin e rastit apo për ecurinë e hetimeve.
Në një postim publik, Mehani tha se përveç deklaratës së dhënë menjëherë pas ngjarjes para Policisë dhe dorëzimit të një raporti mjekësor, nuk ka pasur zhvillime të tjera në lidhje me rastin.
“As tash kur po e shkruaj këtë postim nuk e di kush është prokuror a prokurore e rastit! Përveç ditës kur ka ndodhur rasti që kam dhënë një deklaratë te disa policë dhe një thirrje telefonike pas disa ditëve për të dorëzuar raportin e mjekut dhe atë nëse dua; asgjë tjetër!”, ka shkruar Mehani.
Hysni Mehani thotë se është sulmuar fizikisht nga Sami Lushtaku
Ai po ashtu pretendon se nuk ka informacione zyrtare për personat e përfshirë në sulm dhe për ecurinë e procedurave ligjore.
“As tash kur po e shkruaj këtë postim, nuk e di kush janë personat që më kanë sulmuar”, ka deklaruar ai, duke shtuar se sipas informacioneve të tij, njëri prej të dyshuarve për sulmin është i përfshirë më herët në vepra penale.
Mehani ka pretenduar gjithashtu se një nga personat e përfshirë në rast është identifikuar nga ai si “iniciues i sulmit”, duke përmendur edhe pretendime për të kaluarën e tij penale, përfshirë një dënim për vrasje.
Lushtaku pas incidentit në Skenderaj: Pushteti i Albin Kurtit tentoi që të më sulmoj
“Imagjinojeni, një ish i dënuar për vrasje del dhe e sulmon një qytetar… dhe prokurori a prokurore e rastit e liron në procedurë të rregullt dhe deri më sot nuk di për ndonjë masë të marrë”, ka shkruar ai.
Në fund të reagimit të tij, Mehani ka theksuar se nuk do të ndryshojë qëndrimet e tij pavarësisht ngjarjes, duke shtuar se pret ende sqarime nga institucionet e drejtësisë.
“Prokuror a prokurore, kjo është çështja që po pres ta di”, ka përfunduar ai.









