Berat Rukiqi ka dalë kundër kërkesës së Degës së Dytë të LDK’së në Prishtinë, pjesë e së cilës është, për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e Kryetarit të LDK’së.
Sipas Rukiqit, mbledhja është thirrur brenda ditës, pa agjendë dhe pa analizë të rezultateve të degës.
Ai ka thënë se reflektimi duhet të nis së pari nga Kryesia e Degës, teksa ka thënë se të kërkosh reflektim vetëm nga udhëheqja qendrore e partisë “është hipokrizi dhe standard i dyfishtë”.
Sipas Rukiqit, kështu po u shërbehet “agjendave partiake të partive të tjera”
“Për më tepër, fjala për udhëheqjen e partisë është dhënë tashmë nga organi më i lartë i LDK-së, Kuvendi i 31 Janarit. Vendimet e atij Kuvendi duhet të respektohen nga secili prej nesh. Rezultati zgjedhor i 7 Qershorit, duhet të përkthehet qartë në interes të anëtarësisë, me marrjen e përgjegjësive që na takojnë, por në asnjë rast nuk duhet t’i shërbej agjendave partiake të partive të tjera”, ka shkruar Rukiqi.
Reagimi i plotë:
Reflektimi duhet të fillojë nga kryesitë e degëve me rezultate të dobëta
Në një mbledhje të thirrur brenda ditës, pa agjendë dhe pa një analizë serioze të rezultateve të Degës. Dega e Dytë, pjesë e së cilës jam edhe unë, paska kërkuar reflektim për rezultatin zgjedhor. SHUMË MIRË.
Reflektimi është i domosdoshëm. Por ai duhet të nisë së pari nga vetë Kryesia e Degës. Duhet të nisë nga ata anëtarë të kryesisë që nuk kanë marrë pjesë as në 10% të mbledhjeve të degës, e lëre më të kenë qenë aktivë në proceset zgjedhore, të cilat në shumë raste i kanë neglizhuar apo sabotuar.
Këto sjellje janë reflektuar drejtpërdrejt edhe në rezultatet e Degës, të cilat fatkeqësisht janë ndër më të dobëtat në nivel vendi.
Pa asnjë analizë të përgjegjësive të Degës dhe pa asnjë reflektim për dështimet lokale, të kërkosh reflektim vetëm nga udhëheqja qendrore e partisë është hipokrizi dhe standard i dyfishtë.
Për më tepër, fjala për udhëheqjen e partisë është dhënë tashmë nga organi më i lartë i LDK-së, Kuvendi i 31 Janarit. Vendimet e atij Kuvendi duhet të respektohen nga secili prej nesh.
Rezultati zgjedhor i 7 Qershorit, duhet të përkthehet qartë në interes të anëtarësisë, me marrjen e përgjegjësive që na takojnë, por në asnjë rast nuk duhet t’i shërbej agjendave partiake të partive të tjera.








