Përfaqësuesi i Mabco Construction, Selim Pacolli, ka akuzuar drejtuesit e kompanisë VIA (Vlora International Airport) për përfshirje në veprime që, sipas tij, synojnë pengimin e punimeve në kantierin e aeroportit të Vlorës.
Pacolli ka deklaruar se gjatë ditës së sotme, në prani të Policisë së Shtetit dhe kompanisë së sigurisë “Global Security”, mjete të kompanisë “2A Group” janë përdorur për të bllokuar hyrjet e kantierit të koncesionarit Mabco Construction.
Sipas tij, përpjekja për të ndaluar vijimin e punimeve ka dështuar dhe aktiviteti në kantier ka vazhduar normalisht.
Ai ka kritikuar administratorin Vegim Hoxha dhe përfaqësuesin e tij, Bujar Ejupi, duke pretenduar se kompania VIA është rreshtuar hapur në mbështetje të ortakut minoritar Valon Ademi.
Pacolli u ka bërë thirrje palëve të përfshira që të marrin përgjegjësi për veprimet e tyre dhe të mos i përfshijnë punonjësit në konflikt, duke theksuar se ata meritojnë respekt dhe nuk duhet të përdoren si mjet presioni në mosmarrëveshjet mes palëve.
Reagimi i plotë i Pacollit:
E ashtuquajtura “VIA” (Vlora International Airport), e drejtuar nga administratori i kontestuar Vegim Hoxha dhe përfaqësuesi i tij Bujar Ejupi, duket se tashmë ka hequr çdo perde neutraliteti, duke u shndërruar hapur në zëdhënëse të qëndrimeve të ortakut minoritar Valon Ademi.
Sot, në prani të Policisë së Shtetit dhe të kompanisë së sigurisë “Global Security”, mjete të kompanisë “2A Group” u përdorën për të bllokuar hyrjet e kantierit të koncesionarit “Mabco Construction”, në një përpjekje për të penguar vijimin normal të punimeve. Por edhe kjo përpjekje dështoi.
Ne ishim dhe mbetëm në kantier.
Mos u fshihni pas punonjësve dhe pas skenarëve të improvizuar. Dilni hapur dhe mbani vetë përgjegjësi për veprimet dhe qëndrimet tuaja. Mos i përdorni punonjësit si mburojë apo si “mish për top”, sepse ata nuk kanë asnjë faj në këtë konflikt. Ata janë njerëz që punojnë për të siguruar jetesën e familjeve të tyre dhe meritojnë respekt, jo instrumentalizim.








