Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja.
Në këtë drejtim, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se Kosova ka nevojë për formim të shpejtë të institucioneve dhe se partia e tij është e hapur për bashkëpunim.
“Ne jemi të gatshëm qysh sonte për bashkëpunim”, ka deklaruar Haziri.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se komunikimet me partitë politike do të nisin menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
“Po sa të certifikohet rezultati do t’i fillojmë komunikimet menjëherë”, është shprehur Kurti.
Aktualisht, KQZ-ja është në pritje të përfundimit të procedurave ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
LVV, e udhëhequr nga Kurti, ka fituar shumicën parlamentare me 53 deputetë, ndërsa PDK ka siguruar 22 deputetë, LDK 18 deputetë dhe AAK 7 deputetë.
Me këtë shpërndarje mandatesh, LVV ka mundësinë të formojë qeverinë pa koalicion me partitë e tjera shqiptare, por i nevojitet mbështetja për zgjedhjen e presidentit, ku kërkohet që gjatë votimit të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë.
Një marrëveshje me LDK-në do të siguronte 82 vota, vetëm dy më shumë se minimumi kushtetues prej 80 deputetësh që nevojiten për raundin e parë dhe të dytë të votimit për president.
Ndërkohë, formimi i një qeverie pa Lëvizjen Vetëvendosje mbetet më i vështirë, pasi tri partitë e ish-opozitës së bashku kanë 47 deputetë dhe u nevojiten edhe 14 deputetë të tjerë për shumicën e nevojshme.
Certifikimi i rezultateve nga KQZ pritet të bëhet në ditët e para të muajit korrik.








