Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e paraqitura nga Qendrim Kryeziu dhe Bekim Haxhiu, kandidatë për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka kërkuar rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së për deputetë.
Haxhiu ishte ankuar duke thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përfundimit të numërimit të votuave kishte urdhëruar rinumërim në 185 vendvotime për mospërputhje të evidentuara gjatë procesit të numërimit të votave, duke pretenduar se duhet rinumërim i plotë.
PZAP tha se ankesa e tij është e pabazuar.
“Paneli konsideron se zgjerimi i rinumërimit mund të justifikohet vetëm në rastet kur rezultatet e mostrës kontrolluese evidentojnë parregullsi të mëdha, që krijojnë dyshim objektiv, serioz dhe të bazuar lidhur me saktësinë e rezultatit zgjedhor dhe integritetin e procesit të numërimit”, thuhet në vendim.
Në rastin konkret, PZAP thotë se “nga shkresat e lëndës rezulton se pas rinumërimit të 185 vendvotimeve janë evidentuar ndryshime në rezultatet e kandidatëve në të dy drejtimet, ku një numër kandidatësh minimalisht kanë fituar vota ndërsa kandidatë të tjerë po ashtu ne mënyrë minimale kanë humbur disa vota”.
“Këto ndryshime nuk janë pasqyrim i një modeli të përgjithshëm ose sistematik të pasaktësive, por dëshmojnë se korrigjimet e evidentuara kanë qenë të shpërndara dhe nuk kanë prodhuar efekt të tillë që do të vinte në dyshim integritetin e përgjithshëm të procesit të numërimit”, thuhet ndër tjerash në vendimin e PZAP.
Kryeziu në ankesën e tij ka pretenduar se gjatë numërimit fillestar është dëmtuar për afro 600 vota. Mirëpo, sipas PZAP-it, gabimet gjatë numërimit fillestar kishin qenë në favor të tij.
“Sipas të dhënave zyrtare të krahasimit ndërmjet numërimit në QKN dhe rinumërimit në QNR, votat e kandidatit me numër 103, Qëndrim Kryeziu kanë ndryshuar vetëm në dy vendvotime. Në total, kandidati ka dy vota më pak pas rinumërimit dhe jo 589 vota më shumë. Pretendimi për 589 vota nuk përputhet me të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ”, thuhet ndër tjerash në vendim.
Të dy kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj këtyre vendimeve të PZAP në Gjykatën Supreme, në një afat 48 orësh








