Gjatë ditëve me temperatura të larta që arrijnë deri në 35–40°C, shumë qytetarë zgjedhin t’i mbajnë grilat e dritareve të mbyllura gjatë gjithë ditës me qëllim freskimin e ambienteve të brendshme. Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo praktikë nuk është gjithmonë më efikasja.
Sipas tyre, mënyra se si përdoren grilat ka më shumë rëndësi sesa thjesht mbyllja e tyre, pasi një përdorim i gabuar mund të krijojë efekt të kundërt dhe të rrisë nxehtësinë brenda shtëpisë.
Shumë persona i mbyllin plotësisht grilat, duke bllokuar qarkullimin e ajrit mes xhamit dhe mbulesës. Kjo hapësirë, nëse nuk ajroset, mund të kthehet në një “efekt serre”, ku nxehtësia e diellit grumbullohet dhe depërton më lehtë në brendësi të banesës.
Ekspertët rekomandojnë që grilat të mos mbyllen hermetikisht dhe të lihet hapësirë e vogël për ventilim, në mënyrë që ajri të qarkullojë lirshëm.
Rregulli kryesor është që grilat të mbahen të ulura gjatë orëve kur dielli godet drejtpërdrejt dritaret dhe kur temperatura jashtë është më e lartë se brenda.
Ndërsa gjatë mbrëmjes, natës dhe orëve të para të mëngjesit, kur temperatura e jashtme bie, rekomandohet hapja e tyre për të lejuar freskimin natyral të ambienteve.
Sipas ekspertëve, orientimi i dritareve ka ndikim të madh në temperaturën e brendshme të shtëpisë. Dritaret me drejtim nga jugu dhe perëndimi ekspozohen më shumë ndaj rrezeve të diellit dhe kërkojnë mbrojtje më të madhe gjatë ditës.
Ndërkohë, dritaret nga veriu marrin më pak diell dhe mund të mbahen më të hapura për të përfituar nga drita natyrale pa rritje të ndjeshme të temperaturës.








