Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Zveçan, ku një burrë është gjetur pa shenja jete në banesën e tij, pasi familjarët dhe fqinjët u alarmuan nga mungesa e kontaktit me të.
Burimet e Gazetës bëjnë me dije se viktima është Tomislav Radovanovic, rreth 60-vjeçar, për të cilin ekzistonin shqetësime pasi nuk po e hapte derën e banesës që nga orët e mëngjesit.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, duke ditur se ai kishte probleme shëndetësore, është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve për hapjen e derës së banesës në lagjen Lugina e Diellit në Zveçan.
Pasi kanë hyrë brenda, në vendngjarje ka arritur edhe ekipi emergjent mjekësor, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e 60-vjeçarit.
Në vendngjarje kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, ekspertët e forenzikës dhe ekipi i Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Kur dera nuk u hap për orë të tëra, u kërkua ndihma e zjarrfikësve. Brenda banesës, autoritetet gjetën trupin e pajetë të 60-vjeçarit.








