Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave Pastrimi.
Sipas aktakuzës, Burim Kelmendi në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të kompanisë, dyshohet se gjatë viteve 2020–2021 ka tejkaluar kompetencat e tij duke mos respektuar procedurat ligjore të punësimit dhe duke nënshkruar dhjetëra kontrata pune pa shpallur konkurs publik.
Sipas Prokurorisë, këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar ndërmarrjes dëm financiar në vlerë prej mbi 114 mijë eurosh.
Kush është Burim Kelmendi?
Në vitin 2022, Bordi i Drejtorëve të kompanisë kishte marrë vendim që ta shkarkonte nga detyra kryeshefin ekzekutiv, Burim Kelmendin.
Bordi kishte konstatuar se Kelmendi nuk ka realizuar objektivat për rritjen e kapitalit të kompanisë, si objektiv bazë i përcaktuar me Plan Biznesin e aprovuar, dhe krejt kjo për shkak të keqmenaxhimit.
“Është vërtetuar se ka pasur devijime ekstreme nga parashikimet e Planit të Biznesit, ka pasur mbipunësim të paarsyeshëm dhe në kundërshtim me fuqinë ekonomike të kompanisë, si dhe është praktikuar edhe nepotizëm. Kjo është konstatuar edhe në gjetjet e Zyres së Auditorit të jashtëm, e cila ka gjetur shumë shkelje të rënda për kompaninë, si pasojë e marrjes së vendimeve përtej kompetencave të Kryeshefit Ekzekutiv, pa aprovim nga Bordi i Drejtorëve”, kishte shkruar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.
Aktakuza, dyshime për punësime pa konkurs dhe ryshfet 1,500 euro për vende pune
Në aktakuzën për të cilën njoftoj sot prokuroria i pandehuri tjetër akuzohet se ka kërkuar dhe pranuar para nga qytetarë, duke u premtuar atyre ndikim të kundërligjshëm për sigurimin e vendeve të punës në kompani. Sipas dyshimeve, për një vend pune janë kërkuar dhe pranuar deri në 1,500 euro.
Prokuroria ka propozuar që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të të gjitha provave, të dy të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.








