Procesi i rinumërimit të fletëvotimeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vijon, ndërsa sot pritet të përmbyllen edhe tetë kutitë e fundit të këtij procesi, së bashku me dy kuti nga Ranillugu, të cilat janë dërguar për verifikim me urdhër të Prokurorisë dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Gjatë rinumërimit janë ngritur dyshime për parregullsi në disa qendra votimi në pjesën veriore të vendit. Dyshimet lidhen me mundësinë që fletëvotimet të jenë plotësuar në mënyrë të ngjashme, duke u vërejtur ngjashmëri në nënshkrime dhe në mënyrën e shënimit të votave, gjë që ka ngritur shqetësime për mundësi manipulimi.
Po ashtu, mbetet e hapur çështja nëse PZAP do të vendosë për hapjen dhe shqyrtimin e pamjeve të kamerave të sigurisë në qendrat përkatëse të votimit, me qëllim të verifikimit të pretendimeve që kanë dalë gjatë procesit të rinumërimit.








