Mbrëmë në Prishtinë kanë mbetur të plagosur dy persona pas një përleshjeje fizike. Policia të premten ka bërë të ditur se fillimisht dy persona ishin sulmuar nga një i dyshuar, ndërsa më vonë ky i fundit është lokalizuar dhe është konstatuar se edhe ai ishte i plagosur.
Sipas Policisë, njëri prej viktimave dhe i dyshuari janë dërguar në QKUK, ndërsa viktima raportohet të jetë në gjendje të rëndë.
“Dy viktimat meshkuj kosovarë kishin pësuar lëndime si pasojë e sulmit nga i dyshuari mashkull kosovar. Pas një kohe është lokalizuar i dyshuari i cili kishte pasur një plagë në këmbë dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Në rast dyshohet se është përdorur një armë. Njëri nga viktimat dhe i dyshuari gjenden në QKUK nën mbikëqyrje të policisë për shkak të lëndimeve dhe sipas mjekut viktima është në gjendje të rëndë shëndetësore”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Njësitë relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është konfiskuar vetura në të cilën kishte ndodhur rasti.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.








