Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e së mërkurës në Mitrovicë, ku një 53-vjeçar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij.
Burimet e Gazetës bëjnë me dije se viktima është Fadil Islami (1973), i cili u gjet i vdekur në banesën e tij në rrugën “Agim Ramadani”, në lagjen Katana.
Rastin e ka raportuar motra e tij, e cila kishte kërkuar ndihmën e autoriteteve pasi e kishte gjetur pa shenja jete.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipi emergjent mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e 53-vjeçarit.
Sipas deklarimeve të familjarëve, i ndjeri vuante prej kohësh nga probleme shëndetësore dhe kishte histori të sëmundjeve kardiologjike.
Me rekomandim të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, procedurë standarde që ndiqet në raste të tilla.
Megjithatë, me kërkesë të familjarëve dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë nuk është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, por u është kthyer familjarëve për ceremonitë mortore.
53-vjeçari u gjet pa shenja jete në banesën e tij, ndërsa rrethanat e vdekjes po trajtohen nga autoritetet si hetim mbi vdekjen.








