Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, së bashku me Këshillat Studentorë të fakulteteve, do të protestojnë sot në orën 11:30 para Rektoratit të UP-së, në shenjë pakënaqësie ndaj rektorit Arben Hajrullahu dhe mosadresimit të kërkesave të tyre.
Protesta është paralajmëruar pas përplasjeve të fundit ndërmjet përfaqësuesve studentorë dhe rektorit, të cilat u thelluan pas bojkotit të mësimit në Fakultetin e Mjekësisë.
Bojkoti erdhi si kundërshtim ndaj evidentimit të vijueshmërisë së studentëve përmes kodeve QR, një praktikë që nxiti reagime dhe pakënaqësi te studentët.
Tensionet u shtuan edhe pas deklaratave të rektorit Hajrullahu, të cilat përfaqësuesit studentorë i cilësuan fyese dhe kërcënuese.
Përmes protestës së sotme, studentët synojnë të shprehin kundërshtimin e tyre ndaj qasjes së rektorit dhe të kërkojnë adresimin e shqetësimeve të ngritura.
Ndër kërkesat e tyre janë kërkimfalja publike dhe dorëheqja e rektorit Arben Hajrullahu.









