Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova”, Benita Zena, ishte e ftuar mbrëmë në eventin privat të organizuar nga Londrimi, me rastin e lansimit të EP-së së tij të parë.
Ky organizim bëri bashkë miq dhe bashkëpunëtorë të Londrimit, ndërsa Benita tërhoqi vëmendje me praninë e saj, duke treguar mbështetjen për ish-shokun e shtëpisë së BBVK-së.
Gjatë mbrëmjes, Benita dha një intervistë për “Prive by Liberta Spahiu”, ku foli për herë të parë para kamerave disa muaj pas daljes nga BBVK.
E pyetur për vendimin e saj të fundit që bëri bujë në rrjetet sociale, heqjen e fillerave, ajo u shpreh e hapur duke treguar se ishte ndier komode me këtë hap dhe e kishte parë të arsyeshme t’i largonte.
Benita theksoi se vendimi nuk ishte ndikuar nga askush, por kishte qenë dëshirë e saj personale. Madje, me sportivitet, ajo shtoi se nëse në të ardhmen do të ketë sërish dëshirë t’i bëjë, do ta bëjë pa asnjë problem.
Sa i përket raportit me Londrimin, ajo konfirmoi se shoqëria e sinqertë që nisi brenda formatit të BBVK-së po vazhdon me sukses edhe jashtë tij.
Benita foli edhe për planet profesionale, duke zbuluar se është gati të rikthehet fuqishëm në muzikë. Ajo njoftoi fansat se shumë shpejt do të publikojë projektin e saj më të ri muzikor me titull “Bugatti 2”.
Megjithatë, pjesa që mori më shumë vëmendje ishte ajo që lidhej me jetën e saj private. E pyetur për mundësinë e një ribashkimi në dashuri, Benita u tregua e prerë në përgjigjen e saj.
“Ribashkim nuk ka. Benita çfarëdo që bën, nuk ribashkohet me kërkënd”, u shpreh ajo.
Me këtë deklaratë, Benita la të kuptohet qartë se historia e saj me Endrin ka përfunduar përfundimisht, duke mbyllur çdo hapësirë për spekulime dhe duke treguar se aktualisht është e fokusuar te vetja dhe planet e saj për të ardhmen.








